Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për nëntë persona të arrestuar pas protestës së 25 tetorit, duke pranuar kërkesat e Prokurorisë për vleftësimin e ligjshëm të arrestimeve dhe vendosjen e masave shtrënguese. Sipas vendimit të shpallur më 28 tetor, njëri prej personave nën hetim, E. D., është lënë në arrest shtëpie. Ai dyshohet për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”. Për shtatë persona të tjerë, gjykata caktoi detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, ndërsa për një tjetër u vendos ndalimi për të marrë pjesë në protesta dhe tubime publike, si dhe kufizime për t’u afruar pranë institucioneve publike. Konkretisht, P. L., E. B., A. K., O. Ç. dhe Sh. M. duhet të paraqiten në Policinë Gjyqësore të mërkurën e fundit të çdo muaji, në orën 15:00. E njëjta masë u caktua edhe për Z. M. dhe S. H. Ndërkohë, M. L. është ndaluar të shkojë në zonat ku zhvillohen protesta në territorin e Shqipërisë. Gjykata e ka urdhëruar gjithashtu të mos afrohet në një distancë më të vogël se 500 metra nga ndërtesat e institucioneve publike dhe të mos qëndrojë në sheshe apo ambiente publike ku zhvillohen tubime dhe manifestime, pa autorizimin paraprak të gjykatës. Për personat ndaj të cilëve u caktua detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm, nëse nuk mbahen për shkak të një mase tjetër sigurie apo vendimi dënimi. Të arrestuarit dyshohen për vepra penale që lidhen kryesisht me goditjet për shkak të detyrës, ndërsa disa prej tyre janë hetuar edhe për shkatërrim prone, kundërshtim të punonjësve të policisë, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit dhe prishje të qetësisë publike. Vendimi i Gjykatës së Tiranës mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda pesë ditëve nga dita pas njoftimit.
