Lajme Zone
Propozoi vendosjen e kondicionerit në shkollë, qytetarja: E bëra për fëmijën tim të paralizuar
EkonomiJOQ Albania

Propozoi vendosjen e kondicionerit në shkollë, qytetarja: E bëra për fëmijën tim të paralizuar

Një ditë më parë, JOQ Albania publikoi denoncimin e një prindi lidhur me kërkesën për kontribut financiar për vendosjen e kondicionerëve në klasat e shkollës “Qazim Turdiu”.

Një ditë më parë, JOQ Albania publikoi denoncimin e një prindi lidhur me kërkesën për kontribut financiar për vendosjen e kondicionerëve në klasat e shkollës “Qazim Turdiu”.

Sipas njoftimit të shpërndarë në grupin e prindërve, për një klasë me sipërfaqe rreth 48 m² ishte parashikuar vendosja e një kondicioneri 24 BTU. Në njoftim thuhej se kostoja e pajisjes dhe montimit ishte rreth 620 mijë lekë, ndërsa një pjesë e kostos do të mbulohej nga një prind dhe pjesa e mbetur do të ndahej mes 24 nxënësve, duke bërë që secila familje të kontribuonte me rreth 22 mijë lekë për fëmijë.

Pas publikimit të denoncimit, ka reaguar nëna që kishte propozuar vendosjen e kondicionerit. Ajo shpjegon se nisma nuk ishte një kërkesë e detyrueshme ndaj prindërve, por një propozim i saj, i bërë për shkak të kushteve shëndetësore të djalit të saj.

Nëna tregon se djali është i paralizuar, lëviz me karrocë dhe përballet me disa probleme të tjera të rënda shëndetësore. Sipas saj, fëmija është operuar tre herë në zorrë dhe që në lindje ka kaluar një periudhë të gjatë në reanimacion. Ajo shton se edhe djali i saj i madh, 23 vjeç, është me autizëm.

Në reagimin e saj, nëna thekson se kondicioneri është propozuar për të përmirësuar kushtet në klasë, veçanërisht për djalin e saj, por edhe për fëmijët e tjerë.

“Jam nëna që kam propozuar kondicionerin. Kam një fëmijë të paralizuar në karrocë, me shumë probleme të tjera shëndetësore”, shprehet ajo.

Nëna ka bërë publike edhe mesazhet e dërguara në grupin e prindërve, ku u kërkon atyre të japin mendimin nëse janë dakord me vendosjen e një kondicioneri në klasë.

Ajo thotë gjithashtu se nuk ka pasur detyrim ndaj prindërve për të kontribuar dhe se vetë ka qenë e gatshme të mbulojë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimit, pavarësisht vështirësive ekonomike dhe shëndetësore me të cilat përballet familja e saj.

“Unë po kontribuoj vetë, me shumë sakrifica, për fëmijën tim dhe të gjithë bashkë për të gjithë fëmijët në klasë.”, shprehet ajo.

Nëna ka vënë në dispozicion edhe mesazhet e komunikimit me prindërit, duke këmbëngulur se iniciativa për kondicionerin ka ardhur prej saj dhe se qëllimi ka qenë përmirësimi i kushteve të qëndrimit në klasë, veçanërisht për shkak të gjendjes së djalit të saj.

Mesazhi që u ka dërguar prindërve:

Pershendetje Uroj vit te mbare per te gjithe femijet kete vit shkollor Jam mami D… E… qe eshte me karroce ne klasen e femijeve tuaj Kam nje mendim per te permisuar qendrimin e femijeve ne klase Klasa eshte shume e nxehte nqs e kemi pare vjet dhe ne dimer nuk arrin te ngrohet nga kaldajat Une dhe disa prinder mendojme qe te kontribojme te gjithe nga pak e te vendosim kondicioner per femijet Shpresoj qe ta merni parasysh kete mendimin ne favor te femijeve Flm: Ju lutem konfirmoni nëse jeni dakort që të caktojmë një prind që te merret me këtë punë