Propozimi për shkrirjen e Bashkisë Fushë-Arrëz ka nxjerrë banorët në protestë. Qytetarë, të rinj dhe përfaqësues të diasporës janë mbledhur në qytet për të kundërshtuar reformën e re territoriale të propozuar nga qeveria.
Siç raporton korrespondenti i Top Channel Klodian Zhivani, banorët e Fushë-Arrëzit kundërshtojnë shkrirjen e bashkisë, duke argumentuar se një vendim i tillë do të dobësonte përfaqësimin vendor, do të zbehte identitetin e zonës dhe do të ndikonte në largimin e mëtejshëm të banorëve nga qyteti dhe fshatrat përreth.
Në mbështetje të banorëve dhe kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit janë rreshtuar edhe figura të Partisë Demokratike, ndërsa në protestë kanë marrë pjesë edhe kryebashkiakët e djathtë të Pukës dhe Mirdites.
Mes tyre ishte edhe Paulin Luli, ish-kandidat për deputet i Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Qarkun Shkodër. Top Channel

