Prokuroria e krimit të organizuar ka hapur hetim për mashtrimet dhe pastrimin e parave që kanë bërë gjashtë persona nga Shkupi përmes dy kompanive, njëra për kontroll teknik të automjeteve dhe tjetra broker për sigurimin e automjeteve. Të dyshuarit përmes përgatitjes së fletëpagesave të rreme në kontrollin teknik kanë dhe më pas miratimit dhe ekzekutimit të tyre nga personat përgjegjës kanë dëmtuar buxhetin e shtetit pasi paratë e paguara nuk janë destinuar në llogari të arkës shtetërore por në kompanitë e tyre. “Nga 1 janari 2021 deri më 20 janar 2026, i dyshuari i parë me qëllim përfitimet personale, ka përvetësuar mbi 138 milion denarë, ndërsa të dyshuarit tjerë i kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale”, thanë nga Prokuroria e Krimit të Organizuar.Në hetim është përfshirë edhe ndihmës drejtoresha për financa në Ndërmarrjen Publike “Rrugët Shtetërore”.“Kontabilisti ka regjistruar të dhëna të rreme të llogarive në dokumente me çka ka fshehur shumën reale të përfitimeve (të hyrave). Ndihmës drejtoresha për financa në NP Rrugët Shtetërore nuk ka verifikuar faturat në mënyrën për të cilët ka qenë e obliguar. Për më tepër e ka njoftuar gjatë gjithë kohës pronarin e kontrollit teknik për veprimet e saja dhe përfitimet financiare”, theksuan nga Prokuroria e Krimit të Organizuar.Grupi i organizuar kriminal në këtë mënyrë ka dëmtuar buxhetin e shtetit dhe ka përvetësuar në mënyrë jo ligjore mbi 2,2 milion euro. Paratë janë transferuar nëpër xhirollogari të kompanive simotra, ndërsa më pas janë shfrytëzuar për blerjen e patundshmërive. Prokuroria ka kërkuar që ndaj tre të dyshuarve të caktohet masa e paraburgimit.

