Prokuroria e Përgjithshme dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA kanë forcuar bashkëpunimin institucional dhe koordinimin e përbashkët në luftën kundër piraterisë dixhitale. Në një takim të zhvilluar mes Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela dhe Kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, u firmos një Memorandum Bashkëpunimi i cili synon ngritjen dhe funksionimin e task forcës për luftën kundër piraterisë dixhitale audiovizive. Nga ana e saj, AMA angazhohet të kallëzojë në prokuroritë kompetente materialet që mund të kenë elementë të veprave penale si dhe të informojë prokurorinë për metodat e reja të piraterisë dixhitale. Ndërkohë që prokuroria angazhohet të vlerësojë kallëzimet e kryera dhe të kërkojë të dhëna shtesë për hetim të plotë dhe të gjithanshëm, si dhe të bashkëpunojë me AMA-n për dokumentimin dhe referimin e rasteve të piraterisë dixhitale audiovizive.
