Profesori i Universitetit Johns Hopkins në Uashington, Daniel Serwer, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për dënimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së. Në një analizë të publikuar në blogun e tij, Serwer e vë vendimin përballë zhvillimeve në Serbi dhe sjell në vëmendje rolin e Aleksandar Vuçiç në qeverinë e Slobodan Millosheviç dhe nderimet që iu bënë Ratko Mlladiç. Sipas Serwer, kontrasti mes trajtimit të Thaçit dhe figurave të lidhura me regjimin serb është i vështirë të mos vihet re. Ai shkon edhe më tej, duke argumentuar se problemi nuk qëndron vetëm te vendimi, por te vetë krijimi dhe funksionimi i gjykatës.
Shkrimi i plotë: Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë dënuar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe tre ish-krerë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, ndërsa i kanë shpallur të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Thaçi është dënuar me 25 vite burg.
Kjo ndodh në një kohë kur Aleksandar Vuçiç po largohet nga posti i presidentit të Serbisë për të anashkaluar protestat dhe kufizimin kushtetues të mandateve. Ai ka shpallur zgjedhje, të cilat do të sigurojë që partia e tij t’i fitojë, duke kaluar më pas në postin e kryeministrit.
Vuçiç ishte ministër i Informacionit në qeverinë e Slobodan Millosheviçit gjatë periudhës kur, sipas gjykatës, Thaçi kreu krimet për të cilat është dënuar. Ndërkohë, Serbia e Vuçiçit i dha javën e kaluar nderime të larta në ceremoninë e varrimit të Ratko Mlladiçit, i dënuar për gjenocid nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY).
Kontrasti është i vështirë të mos vihet re.
Një president i Kosovës, i cili ishte përpjekur të mbronte bashkëqytetarët e tij nga shtypja serbe, ndodhet në burg. Serbia, ndërkohë, po fuqizon një politikan që shërbeu në qeverinë që sulmoi civilët në Kosovë dhe nderon autorin e krimeve edhe më të rënda në Bosnje.
Si ndodhi kjo?Kjo ndodhi sepse Kosova, dhe Thaçi në veçanti, iu nënshtruan presionit të fortë amerikan dhe evropian për të krijuar gjykatën përmes një ndryshimi kushtetues.
Në ligj është një gjykatë e Kosovës, por në substancë nuk është e tillë. Stafi i saj është ndërkombëtar.
Ajo u krijua për t'u përqendruar te akuzat për trafikim organesh të përfshira në një raport të Këshillit të Evropës, por nuk gjeti prova që t'i mbështesnin këto akuza. Në vend të kësaj, ajo e zhvendosi vëmendjen te akuzat e inteligjencës serbe.
Disa nga akuzat ndaj luftëtarëve të UÇK-së padyshim që janë të vërteta. Por unë nuk besoj se Thaçi kishte autoritet komandues mbi forcat që kryen këto krime.
Këtë nuk e them vetëm për shkak se amerikanë që kishin dijeni mbi çështjen dëshmuan në gjyqin e tij. Por edhe sepse, në një bisedë me të pas luftës, në prani të një luftëtari të UÇK-së, ai më tha se roli i tij ishte i kufizuar te funksioni i zëdhënësit politik të UÇK-së. Ai nuk ishte luftëtar dhe as komandant.
“Pafajësitë nuk ishin kurrë në skenar”Megjithatë, pafajësitë nuk ishin kurrë në skenar.
Evropianët kanë shpenzuar 200 milionë euro për Dhomat e Specializuara. Serbia kishte ushtruar presion mbi amerikanët dhe evropianët, duke argumentuar se ishte e padrejtë që ICTY kishte dënuar kryesisht serbë për krimet në Bosnje dhe Kosovë, ku ata, në fakt, kishin kryer pjesën më të madhe të krimeve.
Dikur amerikanët mund të ishin përpjekur t'i mbronin krerët e UÇK-së nga një padrejtësi, ose të paktën të kishin parandaluar varrosjen e Mlladiçit me nderime.
Por tani ata kanë harruar të drejtat e njeriut.
Ata janë përqendruar tërësisht te interesat e tyre të ngushta. Në mënyrë ironike, Thaçi, si kryeministër dhe president, ishte shumë më miqësor ndaj këtyre interesave sesa kryeministri aktual.
Çfarë ndodh tani?Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së do ta apelojnë vendimin.
Kjo do të marrë vite, gjatë të cilave gjykata do t'i mbajë ata në burg, ashtu siç ka bërë edhe gjatë pesë viteve para shpalljes së aktgjykimit.
Me pak fat, dënimet mund të reduktohen përfundimisht.
Por asnjë vend në të ardhmen nuk do të bëjë gabimin e krijimit të një gjykate ndërkombëtare të këtij lloji pa ruajtur mundësinë për ta shfuqizuar atë.
Kjo nuk është e mundur për Kosovën, sepse një ndryshim kushtetues do të kërkonte bashkëpunimin e serbëve, gjë që nuk do të ndodhë.
Pyetja më e menjëhershme është se çfarë do të ndodhë në Kosovë.
Shumë shqiptarë atje do ta konsiderojnë rezultatin të padrejtë. Ata do të protestojnë me zemërim, por shpresoj që ta bëjnë në mënyrë paqësore. Dhuna nuk do të sjellë asgjë.
Vendimet do t'i kënaqin, por nuk do t'i ngopin, shumë serbë. Disa mund të festojnë. Edhe atje, dhuna nuk do të sjellë asgjë.
Amerikanët dhe evropianët duhet të jenë të turpëruar.
Ata e kanë kriminalizuar një lëvizje çlirimtare që dikur e mbështetën dhe e kanë reduktuar drejtësinë ndërkombëtare në hakmarrje politike.
Por ata kanë ecur përpara dhe nuk do t'i kushtojnë shumë vëmendje kësaj.
Ky është një mësim tjetër se pse nuk duhet të jesh tepër miqësor me Uashingtonin dhe Brukselin.
Nuk është vetëm vendimi që është i padrejtë. Është vetë gjykata. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

