Lajme Zone
Profecia e De Gaulle-it: Qytetërimi evropian nën hijen e Dragoit
PolitikëPamfleti

Profecia e De Gaulle-it: Qytetërimi evropian nën hijen e Dragoit

Në atë tryezë mungonte Evropa.

Foto Pamfleti / Nga Shenzheni rikthehet ironia e historisë: Evropa, djepi i qytetërimit modern dhe një nga fuqitë më të mëdha ekonomike të botës, ende nuk gjen një zë të përbashkët. A do të duhet trysnia e Kinës për të bërë atë që udhëheqësit e saj nuk po arrijnë? Në Shenzhen, më 19 nëntor, Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin u ulën përballë njëri-tjetrit për të diskutuar çështje që peshojnë mbi të ardhmen e botës. Mes tyre, armët bërthamore, lufta në Ukrainë, konfliktet ndërkombëtare dhe marrëdhëniet mes fuqive të mëdha. Takimi zgjati pak më shumë se një orë dhe nuk solli ndonjë marrëveshje vendimtare. Megjithatë, fotografia e tre presidentëve në të njëjtën tryezë kishte një domethënie që shkonte përtej rezultateve të bisedimeve.

Në atë tryezë mungonte Evropa.

Kontinenti që për shekuj ka qenë në qendër të historisë botërore, që ka lindur perandori, revolucione, ideologji, shkolla filozofike dhe institucione politike, sot e sheh veten gjithnjë e më shpesh jashtë bisedimeve ku trajtohen çështje që prekin drejtpërdrejt të ardhmen e tij.

Është një pamje që do të duhej t'i shqetësonte thellësisht udhëheqësit evropianë. Jo për shkak të protokollit diplomatik apo të mungesës së një karrigeje në Shenzhen, por për atë që kjo mungesë zbulon se megjithëse Evropa ka një fuqi të jashtëzakonshme, ndikimi i saj politik mbetet shumë më i vogël nga sa do t'ia lejonin ekonomia, historia dhe pesha e saj ndërkombëtare.

Thënia e Charles de Gaulle-it tingëllon sot më ironike se kurrë: "Nuk do të ketë ndonjë burrë shteti evropian që të bashkojë Evropën. Atë do ta bashkojnë kinezët."

Ndoshta evropianët do të kenë nevojë për trysninë e një fuqie të jashtme për të bërë atë që udhëheqësit e tyre, prej dekadash, nuk po arrijnë ta çojnë deri në fund: bashkimin politik të kontinentit dhe krijimin e një zëri të përbashkët në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sepse Evropa ka pothuajse gjithçka që i duhet për të qenë një nga fuqitë përcaktuese të shekullit XXI.

Bashkimi Evropian numëron rreth 452 milionë banorë. Ekonomia e tij prodhoi 18.8 trilionë euro në vitin 2025. Brenda kësaj hapësire ndodhen disa nga qendrat më të rëndësishme industriale, financiare, shkencore dhe teknologjike të botës. Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Spanja, vendet nordike dhe ekonomitë e tjera të Bashkimit përfaqësojnë së bashku një fuqi që as Washingtoni dhe as Pekini nuk mund ta shpërfillin.

Evropa ka universitete, institute kërkimore, industri farmaceutike, teknologji të përparuar, kompani të mëdha, banka dhe një treg me fuqi të jashtëzakonshme blerëse. Ka traditën e diplomacisë, përvojën e administrimit shtetëror dhe institucione që kanë ndikuar në mënyrën si qeveriset bota moderne.

Mbi të gjitha, Evropa ka diçka që nuk matet me prodhimin e brendshëm bruto: trashëgiminë e saj qytetëruese.

Nga filozofia greke dhe e drejta romake te Rilindja italiane, nga Iluminizmi francez te mendimi politik britanik, nga muzika e Beethovenit te letërsia e Dantes, Shekspirit e Gëtes, ky kontinent ka ndërtuar një pjesë të madhe të themeleve intelektuale dhe kulturore mbi të cilat mbështetet sot e gjithë bota.

Këtu lindën idetë moderne të shtetit të së drejtës, parlamentarizmit, ndarjes së pushteteve dhe lirive qytetare. Këtu u zhvillua revolucioni industrial që ndryshoi ekonominë botërore. Këtu u hodhën themelet e shkencës moderne dhe të shumë prej institucioneve që sot i konsiderojmë të domosdoshme për një shoqëri demokratike.

Evropa ka njohur edhe anën më të errët të historisë së saj: kolonializmin, nacionalizmat shkatërrues, fashizmin, nazizmin dhe dy luftëra botërore që e kthyen kontinentin në një varrezë gjigante. Pikërisht nga rrënojat e kësaj historie lindi projekti i bashkimit evropian, një nga përpjekjet më të guximshme për ta zëvendësuar rivalitetin shekullor mes shteteve me bashkëpunimin dhe interesin e përbashkët.

Arritjet e këtij projekti janë të pamohueshme. Një pjesë e madhe e kontinentit jeton prej dekadash në paqe, me kufij të hapur, institucione të përbashkëta dhe lidhje ekonomike që dikur do të dukeshin të paimagjinueshme.

E megjithatë, pas gjithë kësaj historie, pas gjithë këtyre sakrificave dhe arritjeve, Evropa ende nuk ka gjetur mënyrën për të folur me një zë kur përballë saj shfaqen fuqitë e mëdha.

Sa herë shpërthen një krizë ndërkombëtare, fillon një proces i njohur: Parisi shpreh qëndrimin e vet, Berlini kërkon konsultime, Roma mbron përparësitë e saj, Varshava ngre shqetësimet e sigurisë, Budapesti kundërshton, ndërsa Brukseli përpiqet të gjejë një formulim që mund të pranohet nga të gjithë.

Në fund, shpesh del një deklaratë e përbashkët. Fjalët janë zgjedhur me kujdes, kundërshtitë janë zbutur, dallimet janë mbuluar me gjuhën e zakonshme diplomatike. Mbetet veç dilema se kush ka autoritetin të marrë vendime në emër të Evropës dhe t'i mbrojë ato përballë fuqive të tjera.

Në Washington, presidenti amerikan flet në emër të Shteteve të Bashkuara. Në Pekin, Xi Jinping përfaqëson politikën e Kinës. Në Moskë, Vladimir Putin përcakton drejtimin strategjik të Rusisë. Modelet e tyre politike janë të ndryshme dhe nuk mund të shërbejnë si shembuj të njëjtë për Evropën. Megjithatë, secili prej këtyre shteteve ka një qendër të qartë vendimmarrjeje.

Evropa ka një presidente të Komisionit, një president të Këshillit Evropian, një Përfaqësuese të Lartë për Politikën e Jashtme, 27 qeveri dhe po aq diplomaci kombëtare. Ka institucione të shumta për të përfaqësuar interesin e përbashkët, ndërsa në çështjet më të ndjeshme të politikës së jashtme vazhdon të mbështetet te unanimiteti.

Një qeveri mund të bllokojë atë që 26 të tjerat e mbështesin.

Sigurisht, shtetet evropiane kanë historitë, interesat dhe shqetësimet e tyre. Polonia dhe vendet baltike e shohin Rusinë përmes një përvoje historike krejt tjetër nga ajo e Spanjës apo Portugalisë. Franca ka një traditë të veçantë të pavarësisë strategjike. Gjermania ka ndërtuar për dekada një model ekonomik të lidhur ngushtë me tregtinë ndërkombëtare. Italia e Greqia kanë shqetësimet e tyre mesdhetare.

Askush nuk mund t'u kërkojë këtyre vendeve të heqin dorë nga historia apo interesat kombëtare. Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi respektimin e dallimeve, jo mbi zhdukjen e tyre.

Megjithatë, prej udhëheqësve të një kontinenti me ambicie globale pritet më shumë sesa administrimi i mosmarrëveshjeve. Pritet aftësia për të dalluar interesin e përbashkët nga përfitimi i çastit, për të marrë përgjegjësi dhe për të ndërtuar një politikë që nuk ndryshon sa herë ndërrohet qeveria në njërin prej kryeqyteteve.

Kjo aftësi po vihet në provë sidomos nga lufta në Ukrainë.

Evropa ka dhënë ndihma të mëdha financiare e ushtarake, ka pritur miliona ukrainas dhe ka përballuar pasoja të rënda ekonomike e energjetike. Qeveritë evropiane kanë ndërmarrë hapa që para pak vitesh do të dukeshin të pamundur, përfshirë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe ndryshimin e politikave energjetike.

Pesha e këtij angazhimi është e madhe. Ndikimi politik, megjithatë, nuk ka qenë gjithmonë në të njëjtën lartësi.

Kur presidenti amerikan ulet përballë presidentit rus për të diskutuar mundësitë e përfundimit të luftës, evropianët detyrohen të këmbëngulin që siguria e kontinentit të mos negociohet pa pjesëmarrjen e tyre. Edhe Ukraina, vendi që po përballon drejtpërdrejt luftën, duhet të ketë fjalën vendimtare për të ardhmen e vet.

Në këtë pikë, përgjegjësia e udhëheqjes evropiane është e madhe. Nuk mund të kërkosh vazhdimisht nga Washingtoni të mbrojë interesat e tua, ndërkohë që nuk arrin të ndërtosh një qëndrim të përbashkët për mënyrën si do t'i mbrosh vetë ato.

Aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet themelore për sigurinë evropiane. Askush nuk fiton nga dobësimi i saj. Megjithatë, një aleancë është më e qëndrueshme kur partnerët kanë aftësi të marrin përgjegjësi, jo kur njëri prej tyre pret gjithmonë vendimin e tjetrit.

Takimi i Shenzhenit e bëri edhe më të dukshme këtë gjendje.

Trump, Xi dhe Putin nuk shkuan në Kinë sepse kishin kapërcyer kundërshtitë. Shtetet e Bashkuara dhe Kina vazhdojnë të konkurrojnë ashpër për teknologjinë, tregtinë dhe ndikimin në Azi. Rusia ka interesat e saj, të cilat nuk përputhen gjithmonë as me ato të Pekinit. Bisedimet nuk prodhuan një marrëveshje të madhe dhe do të ishte e nxituar të flitej për një ndarje të re të botës, si në Jaltën e vitit 1945.

Megjithatë, tri fuqitë treguan se mund të ulen së bashku dhe të diskutojnë drejtpërdrejt çështjet e sigurisë botërore, pavarësisht rivaliteteve të tyre. Evropa nuk kishte një përfaqësues në atë takim.

Kjo mungesë nuk do të thotë se kontinenti është përjashtuar nga çdo vendimmarrje ndërkombëtare. Bashkimi Evropian vazhdon të ketë ndikim të madh ekonomik dhe diplomatik. Megjithatë, Shenzheni tregoi se ekzistojnë formate të rëndësishme ku fuqitë e tjera mund të bisedojnë për çështje me pasoja të drejtpërdrejta për evropianët, pa praninë e një përfaqësuesi të përbashkët të tyre. Është një situate për tu shqetësuar, sidomos kur mendon se sa shumë ka investuar Evropa për të ndërtuar institucionet e saj.

Ironia bëhet edhe më therëse kur kujtojmë se Bashkimi Evropian ka lindur nga bindja se shtetet e kontinentit, të ndara, do të ishin gjithmonë më të dobëta sesa të bashkuara. Kjo bindje ka prodhuar tregun e përbashkët, monedhën euro, lëvizjen e lirë dhe një hapësirë të gjerë bashkëpunimi.

Në ekonomi, evropianët e kanë kuptuar prej kohësh vlerën e bashkimit. Në politikën e jashtme dhe në mbrojtje, ende ngurrojnë t'i japin atij bashkimi fuqinë që kërkon. Kjo është arsyeja pse thënia e De Gaulle-it merr një kuptim të veçantë në kohën tonë.

Kina po e sfidon Evropën në industri, automjete elektrike, teknologji, tregti dhe kontrollin e lëndëve të para strategjike. Konkurrenca kineze po i detyron qeveritë evropiane të rishikojnë politikat industriale, të mbrojnë zinxhirët e furnizimit dhe të mendojnë më seriozisht për pavarësinë ekonomike.

Nëse kjo trysni do të arrijë t'i bashkojë evropianët, mbetet për t'u parë. Pekini ka interesat e veta dhe mund të përfitojë edhe nga dallimet mes shteteve të Bashkimit. Sidoqoftë, rreziku që Evropa të mbetet pas në konkurrencën teknologjike dhe industriale po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t'u shpërfillur.

Një kontinent që dikur udhëhoqi revolucionin industrial sot duhet të luftojë për të ruajtur epërsinë në sektorët ku do të mbështetet ekonomia e së ardhmes. Vendet që ndërtuan industrinë moderne të automobilave po përballen me konkurrencën e prodhuesve kinezë. Ekonomitë që dikur përcaktonin drejtimin e tregtisë botërore sot duhet të përshtaten me një rend ku pesha e Azisë është rritur ndjeshëm.

Kjo është një sfidë historike. Përgjigjja kërkon investime, reforma, vendime të vështira dhe një vizion që shkon përtej interesave të një mandati qeverisës.

Evropa ka ende burime për t'u përballur me të. Ka kapitalin, dijen, universitetet, fuqinë industriale dhe përvojën. I mungon shpesh vendosmëria politike për t'i përdorur këto burime së bashku.

Në këtë debat, Ballkani Perëndimor zë një vend të veçantë. Rajoni e sheh Bashkimin Evropian si pikën kryesore të referimit për të ardhmen e tij. Integrimi evropian mbetet një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme politike, ekonomike dhe shoqërore.

Megjithatë, rajoni i njeh mirë pasojat e mospajtimeve evropiane. Ato shfaqen në procesin e zgjerimit, në qëndrimet ndaj Kosovës, në marrëdhëniet me Serbinë dhe në mënyrën si trajtohen krizat e sigurisë.

Evropa u kërkon vendeve kandidate të harmonizojnë politikën e tyre të jashtme me atë të Bashkimit. Është një kërkesë e kuptueshme për këdo që synon të bëhet pjesë e tij. Pikërisht për këtë arsye, edhe vetë Bashkimi Evropian duhet të jetë në gjendje të përcaktojë një politikë të jashtme të qëndrueshme, të qartë dhe të besueshme.

Për vendet e vogla, një Evropë e bashkuar është një garanci më e madhe sesa një kontinent ku çdo kryeqytet ndjek rrugën e vet.

Evropa nuk ka nevojë të imitojë mënyrën si qeveriset Kina, Rusia apo Shtetet e Bashkuara. Tradita e saj demokratike, pluralizmi, respekti për liritë dhe qasja ndaj kompromisit janë pasuri të çmuara. Kontinenti që ka njohur pasojat tragjike të pushtetit të pakufizuar ka arsye të forta për të mos e përqendruar vendimmarrjen në duart e një njeriu të vetëm.

Megjithatë, demokracia kërkon edhe aftësi për të vendosur. Kompromisi ka vlerë kur prodhon zgjidhje. Kur kthehet në një proces të pafund shtyrjesh dhe kundërshtimesh, ai e dobëson besimin te institucionet.

Udhëheqësit evropianë duhet të kuptojnë se përgjegjësia e tyre nuk mbaron te mbrojtja e interesave të vendeve që përfaqësojnë. Ata janë edhe kujdestarët e një projekti historik, i cili ka lindur nga bindja se fati i kombeve evropiane është i lidhur pazgjidhshmërisht.

Nga Parisi në Berlin, nga Roma në Varshavë, nga Madridi në Bruksel, ka ardhur koha të pranohet se pesha ndërkombëtare e Evropës nuk mund të mbështetet vetëm te madhësia e ekonomisë dhe lavdia e së shkuarës.

Historia është një burim krenarie, por nuk u jep shteteve të drejtë të përhershme për të udhëhequr. Kultura krijon ndikim, por nuk i zëvendëson vendimet politike. Pasuria ekonomike ofron mundësi, por vetëm një strategji e përbashkët mund ta kthejë atë në fuqi diplomatike.

Shenzheni duhet të shërbejë si një paralajmërim për kryeqytetet evropiane.

Nëse udhëheqësit e kontinentit vazhdojnë ta shohin bashkimin politik si një çështje që mund të shtyhet për më vonë, rrezikojnë të zbulojnë se bota nuk do të presë derisa ata të bien dakord.

Kina po forcon pozitën e saj, Amerika po rishikon përparësitë strategjike, Rusia po përpiqet të ruajë ndikimin e vet përmes forcës ushtarake. Në këtë mjedis, Evropa ka nevojë të përcaktojë qartë interesat e saj dhe mënyrën si do t'i mbrojë.

Një kontinent që i dha botës aq shumë ide mbi lirinë, shtetin, qytetërimin dhe bashkëjetesën nuk duhet të pajtohet me një rol dytësor në përcaktimin e së ardhmes së vet.

De Gaulle, i cili e njihte mirë peshën e historisë dhe rëndësinë e sovranitetit, do ta kishte kuptuar më mirë se shumë udhëheqës të sotëm se respekti në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk fitohet vetëm me pasuri apo me deklarata. Ai kërkon vullnet politik, qëndrueshmëri dhe aftësinë për të mbrojtur interesat e tua.

Evropa i ka njerëzit, dijen, pasurinë, kulturën dhe historinë. Ka edhe përvojën e dhimbshme që i mësoi se përçarja mund ta shkatërrojë kontinentin.

Pas gjithë kësaj, është e vështirë të pranohet që udhëheqësit e saj ende nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për ta përfaqësuar.

Do të ishte ironia më e madhe e historisë evropiane nëse, pas shekujsh luftërash dhe dekadash përpjekjesh për bashkim, evropianëve do t'u duhej trysnia e Kinës për të kuptuar se fuqia e tyre qëndron te uniteti.

Sepse Evropa ka gjithçka për të qenë një nga zërat më të fuqishëm të botës. Ajo që ende nuk ka arritur të bëjë është të vendosë të flasë me një zë./Pamfletiqytetërimi evropian nën hijen e dragoit profecia e de gaulle-it gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Elisa dhe molla e Eridës: Kur xhelozia vishet si rebelim 20 Nëntor 2026, 12:1712:17Editorial Sot, tre dhelpra dhe një pulë do të vendosin çfarë të gatuajnë për darkë 19 Nëntor 2026, 10:5110:51Editorial Çfarë fshihet pas gjestit të rrallë të Xi Jinping? 18 Nëntor 2026, 12:3012:30Editorial Pse Trump nuk e donte Samitin e NATO-s në Tiranë? 17 Nëntor 2026, 11:0211:02Editorial Diplomacia e “rosës së çalë” 16 Nëntor 2026, 10:2810:28Editorial Tryeza Shenzhenit dhe doktrina e karrigës bosh 15 Nëntor 2026, 12:4512:45Editorial