Lajme Zone
Procedohet penalisht këngëtari shqiptar, del videoja e plotë e dhunës ndaj TikTokerit
TeknologjiGazeta Tema
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Procedohet penalisht këngëtari shqiptar, del videoja e plotë e dhunës ndaj TikTokerit

Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur rast penal ndaj këngëtarit shqiptar Joz Marku, pas incidentit të dhunshëm ndaj personazhit të njohur të mediave rozë Edi Kuçi.

Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur rast penal ndaj këngëtarit shqiptar Joz Marku, pas incidentit të dhunshëm ndaj personazhit të njohur të mediave rozë Edi Kuçi.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur për mediat vendëse se ndaj Markut është hapur rast për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Sipas Prokurorisë, rasti është iniciuar me vetiniciativë nga prokurori kujdestar dhe i dyshuari është shtetas i Republikës së Shqipërisë.

“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurori kujdestar, me vetiniciativë ka hapur rast penal ndaj J.M., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ të shkaktuar ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës E.K.”, ka deklaruar Nikçi.

Por zhvillimi i ri vjen në një moment kur në rrjet është publikuar edhe videoja e plotë e incidentit, duke dhënë pamje më të qarta mbi mënyrën se si ka nisur përplasja.

Në video, Edi Kuçi shihet teksa ndalohet në rrugë përmes një tabele “Stop”. Sipas pamjeve të publikuara, pas ndalimit ai përballet me një grup personash dhe më pas sulmohet fizikisht.

Në një moment të videos dëgjohet Marku duke e pyetur Kuçin: “Pse m’ke shajt? Shaje Gjesti, shaje Gjestin”, ndërsa vijon përplasja fizike.

Kuçi shihet i gjakosur dhe duke kërkuar që sulmi të ndalet. Në fund të incidentit, sipas pamjeve, ai detyrohet të ulet në gjunjë dhe t’i kërkojë falje.

Autoritetet kosovare kanë nisur tashmë procedurat ligjore.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë ka konfirmuar gjithashtu se Policia e Kosovës është autorizuar për inicimin e rastit, ndërsa ndaj të dyshuarit është vendosur masa e “stop-listës”.

“Prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit dhe vendosjen në stop-listë të të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tij”, ka deklaruar Nikçi.

Prokuroria i është referuar edhe nenit 109 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, duke sqaruar se dispozita mund të zbatohet edhe ndaj shtetasve të huaj në rrethana të përcaktuara nga ligji.

Incidenti mes Joz Markut dhe Edi Kuçit kishte qarkulluar prej ditësh në rrjetet sociale përmes pamjeve të pjesshme. Publikimi i videos së plotë ka nxjerrë në pah edhe momentet para dhe gjatë sulmit, ndërsa tashmë çështja ka kaluar në planin penal.