Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, akuzoi sot kryeministrin Edi Rama, se 13 vitet e qeverisjes së tij janë shoqëruar me skandale korruptive dhe shpopullim masiv.
Në reagimin e tij në 'Facebook', Këlliçi kërkon dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Reagimi i plotë:
Edi Rama prej kohësh tenton të luajë me mendjen e njerëzve përmes një mashtrimi epik, sikur ai e ka integrimin në dorë dhe me ikjen e tij, ndalohet procesi dhe vjen fundi i botës.
Le të bëjmë një bilanc për të hedhur poshtë këtë gënjeshtër ordinere tipike të një autokrati të sëmurë, të cilët fantazojnë deri aty sikur janë ata burimi i ajrit, i ujit, i jetës mbi tokë.
Arritjet më të mëdha në drejtim të integrimit, Shqipëria i ka pasur përpara se Edi Rama të vinte në pushtet dhe mbajnë të gjitha firmën e vulën e PD.
Përpara se të vinte në pushtet ai që e quante NATO-n, natë, ne u anëtarësuam në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe u ulëm në të njëjtën tryezë me vendet më të zhvilluara të perendimi.
Përpara se ai të vinte në pushtet, ne nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian dhe dorëzuam statusin e vendit kandidat.
Shqipëria pa Edi Ramën, pati arritjen më të madhe të hapjes, komunikimit me BE-në, duke dalë nga izolimi dhjetra vjeçar, që ishte heqja e vizave në gjithë hapësirën Shengen.
Kur ai vinte vërdallë e rekrutonte banda e kriminelë me të cilët vijon dhe sot e mban dhe ndan pushtetin;
-Shqipëria bëri hapin më të madh për bashkim kombëtar, me Rrugën e Kombit, me kompaninë amerikane lider në botë Bechtel dhe jo me klientët e Rama-Ballukut, solli TAP-in,
-Shqipëria ndërtoi digën më të madhe me gjigandin norvegjez STATCRAFT, atë të Devollit. Pati revolucion në infrastrukturë, në rritje pagash e pensionesh, në komunikim, internet, arsim e kudo.
Prej 13 vitesh, ky mesia i integrimit, ky profet i rremë në fakt, ka arritur vetëm të hapë negociatat, ndërkohë që çdo vit vetëm janë shtuar kërkesat dhe kushtet nga BE dhe vendet anëtare për shkak të krimit, korrupsionit dhe narko-trafikut.
Prej 13 vitesh, me Edi Ramën, Shqipëria është cilësuar si narkoshteti i parë në Europë!
Prej 13 vitesh, kanë ndodhur skandalet më të paimagjinueshme që nga vjedhjet qindra milionë euroshe si ajo me inceneratorët apo rrugët e tunelet, tek AKSH-i i Lindës dhe Gysit e deri tek shefja e Shërbimit Sekret në dispozicion të bandave.
Të gjitha, me drejtimin dhe nën kujdesin e Edi Ramës.
Prej 13 vitesh me Edi Ramën, Shqipëria ka njohur shpopullimin dramatik ku mbi 1 milionë të rinj e familjarë kanë lënë vendin. Ndërkohë, që nuk ka njohur asnjë investitor serioz të huaj, Shqipëria ka njohur koordinatorin e bandave që siguron verë 33 mijë euro shishja për kreun e organizatës, ka njohur Ron Yeffetin e pajtuar për punët e pisëta, ka njohur koncesionet në shëndetësi që bënë të pasur miqtë e Kryeministrit dhe lanë spitalet pa ilaçe, ka njohur trafikun ndërkombëtar të armëve me Ronin, Kayo-n dhe Ermal Raketën, ka njohur trafik ndërkombëtar të lëndëve toksike me Mirelën që drejton sot Arsimin, ka njohur Bankën e parë Digitale JetBank me Sanielin dhe 6 biznesmenë të tjerë anonimë e pa asnjë ditë eksperiencë në sektorin bankar.
Bilancet e Edi Ramës janë negative dhe të zeza, ashtu si dora e tij sot mbi të rinjtë e studentët që janë ngritur kundër korrupsionit dhe kërkojnë largimin e tij.
Mashtrimi se këtu ndodh apokalipsi me ikjen e tij, vlen vetëm për miqtë, klientët dhe oligarkët. Vetëm për ata me të cilët ndan buxhetin dhe pasuritë e shqiptarëve do të jetë më keq. Për gjithkënd tjetër, dita e largimit të Edi Ramës do të jetë një çlirim nga një zgjedhë korruptivo-kriminale. Dhe ajo ditë po vjen.
Asgjë, askush nuk e ndal dot.
Ndaj Edi Rama, problemi i vetëm i shqiptarëve sot je ti. Jep dorëheqjen, ti hapim rrugën një qeverie teknike, me mandat të qartë për të mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme, me një kod të ri zgjedhor, e me duart e bandave dhe krimit larg kutive të votimit. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

