Pavarësisht kritikave të ashpra ndaj planeve të FIFA-s për të përfshirë investitorë privatë duke iu shitur 20 përqind të të drejtave komerciale të turneut të Kupës së Botës, presidenti i institucionit botëror të futbollit, Gianni Infantino, refuzon të pranojë se ekziston një alternativë e besueshme ndaj projektit shumëmiliardë dollarësh që ai po udhëheq. Në një mesazh video të publikuar të mërkurën në mbrëmje nga FIFA, ai e justifikoi përfshirjen e investitorëve të jashtëm si "një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë për të përshpejtuar ndjeshëm zhvillimin global të futbollit." Megjithatë, kritikët e akuzojnë zyrtarin më të lartë të FIFA-s se, duke e shtyrë komercializimin e sportit më të ndjekur në botë në nivele gjithnjë e më ekstreme, ai synon kryesisht përfitimin e tij personal dhe të partnerëve të tij të biznesit. LEXO EDHE:Europiani U-21 së bashku me Serbinë, punimet në stadiumin 'Air Albania' drejt përfundimit! Fusha e re do të jetë gati në shtator Mesazhi video i Infantinos ishte qartësisht një reagim ndaj valës së madhe të kritikave që ai vetë kishte nxitur me propozimet e tij. Sidomos nga Evropa u hodhën akuza se FIFA po përpiqej të siguronte miratimin e federatave anëtare përmes pagesave të majme të veçanta dhe se kishte vendosur qëllimisht një afat shumë të shkurtër për marrjen e vendimit. Në këtë kontekst u përdorën edhe terma si ryshfet, shantazh dhe shitje e futbollit. "Pjesë e një procesi demokratik" Presidenti i FIFA-s i hodhi poshtë këto akuza dhe në videon e tij e përshkroi planin e investitorëve si një propozim që është "pjesë e një procesi demokratik." Në fund të fundit, ai duhet të miratohet nga shumica e 211 federatave anëtare të FIFA-s, si edhe nga Këshilli i FIFA-s. Megjithatë, tashmë duket e qartë se, përveç kundërshtimit që vjen nga Evropa, shumë vende më të vogla anëtare pritet ta mbështesin idenë, pasi shpresojnë për një rritje të konsiderueshme të të ardhurave. Infantino e formulon kështu argumentin e tij: "Kjo është një mundësi unike për të përshpejtuar ndjeshëm zhvillimin global të futbollit." Sipas tij, "një pjesë shumë e vogël e vlerës komerciale në rritje të futbollit po arrin te pjesët e lojës që kanë më shumë nevojë për të." Për të shfrytëzuar këtë potencial, ai thotë se nevojitet "ekspertizë shtesë." Gjithashtu, ai përpiqet të qetësojë tifozët duke deklaruar: "Sporti që ata ndjekin dhe duan nuk do të ndryshojë." Kritikët kanë frikë nga më shumë turne dhe komercializim Megjithatë, shumë kritikë nuk binden nga këto garanci. Më pak se dy javë pas finales së Kupës së Botës 2026, ata besojnë se frika e tyre po bëhet realitet. FIFA, duke shitur një pjesë të të drejtave komerciale të garave të saj, po e vendos futbollin njëherë e përgjithmonë në duart e investitorëve. Logjika, sipas tyre, është e thjeshtë; sa më shumë turne, më shumë skuadra dhe më shumë ndeshje do të thotë më shumë të ardhura dhe fitime. Kjo, nga ana tjetër, rrit edhe vlerën e aksioneve që investitorët do të kenë blerë më parë. Sipas planit të propozuar, investitorët privatë do të mund të blejnë rreth 20 për qind të aksioneve të një kompanie të re të quajtur FFE (FIFA Forward Enterprise), e cila vlerësohet fillimisht në 20 miliardë dollarë. FFE do të administrojë të gjitha të drejtat komerciale të kompeticioneve të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj, Kupën e Botës për femra dhe Kupën e Botës për Klube. Fondet e shpërblimit për secilën federatë do të sigurohen nga kompania e investimeve Thrive Capital, në pronësi të Joshua Kushner, vëllait të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Me këtë lëvizje, Infantino mund të bëhet edhe drejtori ekzekutiv (CEO) i kompanisë së re pasi të përfjë një mandat tjetër si president i FIFA-s, duke ruajtur kështu ndikim të madh në botën e FIFA-s edhe pas 15 vitesh në krye të organizatës. Zyrtari zviceran argumentoi se, me mbështetjen e investitorëve dhe përmes Programit "FIFA Fast Forward", çdo federatë anëtare mund t'i shumëfishojë të ardhurat e saj. Sipas Infantinos, FIFA gjatë dekadës së fundit ka transformuar rrënjësisht kompeticionet e saj dhe tani duhet ta shoqërojë këtë zhvillim edhe me një transformim financiar. "Forcimi i aspektit komercial të futbollit është hapi i natyrshëm i radhës në këtë zhvillim", tha në fund Infantino. Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 10:46 Milionat e FIFA-s apo posti në UEFA, Duka mes dy zjarreve! FSHF për Report TV: Po presim, s'kemi vendosur ende Plani i kreut të FIFA-s, Gianni Infantino, për të shitur 20 për qind të aksioneve komerciale të Kupës së Botës te privati ka shkaktuar debat të madh gjatë 24 orëve të fundit në botën e futbollit.Infantino 'ka joshur' 211 federatat anëtare të FIFA-s me rritje të të ardhurave për secilën federatë deri në 40 milionë euro, një shtim i ndjeshëm në buxhetet e federatave. Kreu i FIFA-s ka lënë afat deri më 19 shtator për të diskutuar planin e ri, me shumicën e anëtarëve që duhet të jenë pro nëse kjo ide do të vendoset në jetë. Veç anëtarëve, ideja duhet të miratohet edhe në Këshillin e FIFA-s.Mirëpo, kjo ide po krijon përçarje në botën e futbollit. UEFA, shumë federata të njohura, zyrtarë të lartë nga BE dhe vende me traditë në futboll, kanë dalë kundër kësaj ideje për 'privatizimin' e Kupës së Botës.Një vendim duhet të merret edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), si pjesë e FIFA-s së bashku me 210 federata të tjera në botë. Kreu i FSHF-së, Armand Duka, është njëherazi edhe një nga zëvendëspresidentët e UEFA-s, andaj ai ndodhet mes 'dy zjarreve', milionat e FIFA-s që do të ndikonin në rritjen e infrastrukturës dhe cilësisë sportive në Shqipëri, apo ndjekjen e linjës së UEFA-s (ka qëndrim kundër) ku mban edhe postin e rëndësishëm.Situata është shumë komplekse, pasi paratë joshin, por Duka duhet të tregojë 'besnikëri' edhe ndaj UEFA-s. Të kontaktuar nga Report TV, federata shqiptare e futbollit thotë se ende nuk ka një vendim për situatën e krijuar. S.Dh/Shqiptarja.com Share Ora 10:23 Sepp Blatter kundër Infantinos: Futbolli i përket popullit, jo investitorëve privatë Plani i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të shitur aksionet e Kupës së Botës te privati vazhdon të shkaktojë reagime të forta në botën e futbollit. Pas kritikave të UEFA-s, kundër kësaj nisme është rreshtuar edhe ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter.Në një prononcim për Reuters, Blatter e kundërshtoi hapur projektin e Infantinos, duke theksuar se futbolli nuk mund të trajtohet si një biznes në funksion të fitimit."Futbolli nuk i përket asnjë individi apo institucioni. Ai i përket popullit", deklaroi ish-presidenti i FIFA-s.Blatter paralajmëroi se shitja e aksioneve të kompeticionit më prestigjioz në botë do ta largonte futbollin nga vlerat e tij tradicionale, duke shtuar se sporti do të "humbte shpirtin e tij" nëse shndërrohet në një biznes të drejtuar nga fitimi.“Nëse FIFA do të transferohej në një strukturë korporative të orientuar drejt fitimit, ajo do të humbiste shpirtin e saj. Kupa e Botës FIFA nuk është një aset komercial që i përket një grushti drejtuesish. FIFA është kujdestari i Kupës së Botës, jo pronari i saj”, shtoi Blatter, i cili ishte president i FIFA-s për 17 vjet deri në vitin 2015.Kritikat e ish-zyrtarit zviceran vijnë në një moment kur kundërshtimi ndaj planit të Infantinos po rritet në të gjitha nivelet e futbollit. Blatter ka qenë prej vitesh një nga kritikët më të zëshëm të pasardhësit të tij në krye të FIFA-s, ndërsa më herët kishte bërë thirrje edhe për bojkotimin e Kupës së Botës 2026.Debati rreth të ardhmes së Kupës së Botës dhe përfshirjes së investitorëve privatë pritet të vazhdojë, pasi propozimi i FIFA-s po has rezistencë të fortë nga figura dhe institucione të rëndësishme të futbollit botëror. S.Dh/Shqiptarja.com Share Ora 10:09 Të drejtat komerciale te privati, UEFA sulmon FIFA-n: Nuk mund ta përdorë futbollin për të pasuruar veten dhe miqtë e saj UEFA ka ashpërsuar qëndrimin ndaj FIFA-s, duke kritikuar planet për shitjen e aksioneve te privati të disa prej kompeticioneve më të rëndësishme, përfshirë edhe Kupën e Botës. Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, qeveria e futbollit evropian akuzon FIFA-n se po e shfrytëzon futbollin për interesa financiare dhe jo për zhvillimin e sportit.Sipas UEFA-s, afati i vendosur nga FIFA për federatat anëtare që të mbështesin propozimin, nën kërcënimin e humbjes së një pagese të njëhershme, është një tregues i qartë i mënyrës se si po tentohet të imponohet projekti."U njohëm me afatin (19 shtator) që FIFA u ka vendosur federatave për të mbështetur propozimin e saj, ose në të kundërtën të përballen me humbjen e pagesës së njëhershme. Vetë kjo tregon gjithçka që duhet të dini për këtë plan", thuhet në reagimin e UEFA-s.Konfederata Evropiane thekson se, pas konsultimeve me federata, klube dhe aktorë të tjerë të futbollit, kundërshtimi ndaj kësaj nisme është i madh dhe vazhdon të rritet."FIFA nuk mund të vazhdojë ta përdorë sportin tonë për të pasuruar veten dhe miqtë e saj", thekson UEFA.Në përfundim të deklaratës, UEFA bën thirrje që prioritet t'u jepet interesave të futbollit, duke vendosur në qendër federatat, klubet, ligat, lojtarët dhe tifozët, në vend të përfitimeve financiare. S.Dh/Shqiptarja.com Share S.Dh/Shqiptarja.com TAG: uefa Boterori 2026 Gianni Infantino FIFA Komento Komente Sondazhi i ditës:
24 Korrik, 13:38
Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri? Po 63.7% Jo 29.7% Nuk e di 6.5% Vota total: 9379 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Korrik, 13:38 Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri?
