Këtë të hënë u lançua zyrtarisht në Tiranë “ComplyOn AI”, një platformë shqiptare që synon të ndihmojë bizneset dhe institucionet të kontrollojnë mënyrën se si përdorin inteligjencën artificiale dhe të jenë në përputhje me rregullat ligjore evropiane.
Përmes saj, organizatat mund të identifikojnë sistemet e inteligjencës artificiale që përdorin, të vlerësojnë rreziqet që ato paraqesin dhe të evidentojnë mangësitë në përmbushjen e detyrimeve ligjore. Në këtë mënyrë, platforma synon të garantojë një përdorim më të sigurt, transparent dhe të përgjegjshëm të kësaj teknologjie.
Konkretisht, një bankë që përdor inteligjencën artificiale për të analizuar klientët apo për të mbështetur vendimet për dhënien e kredive, përmes kësaj platforme mund të identifikojë rreziqet e mundshme, të kontrollojë nëse mbrohen të dhënat personale dhe nëse respektohen të drejtat e qytetarëve. Themeluesja e ComplyOn AI, Anisa Berisha, thekson se qeverisja e kësaj teknologjie nuk është më vetëm një çështje teknologjike apo rregullatore, por ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin dhe konkurrueshmërinë e organizatave.
“Për drejtuesit e organizatave kjo nuk është vetëm një çështje teknologjike apo rregullatore. Është një çështje biznesi e mirëfilltë. Mungesa e qeverisëse e AI mund të sjellë kosto të paparashikuara, humbje të besimit të klientëve, vështirësi në bashkëpunime ndërkombëtare dhe humbje të mundësive të biznesit. ComplyOn AI është konceptuar si partneri juaj i specializuar në qeverisjen e inteligjencës artificiale që ndërthur ekspertizën, konsulencën, zhvillimin e kapaciteteve dhe teknologjinë”, u shpreh Anisa Berisha – Themeluese e ComplyOn AI.
Zhvillimi i ComplyOn AI ka marrë mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa Startup Albania ka kontribuar në zhvillimin dhe zgjerimin e saj në nivel rajonal. Drejtuesi i këtij institucioni, Arjan Ymeri, vlerëson se platforma ka ambicie të shtrihet edhe përtej kufijve të Shqipërisë. “Ky është lançimi më luksoz që kam parë. Kur them luksoz, do të thotë edhe ambicioz. Ka ambicie të mëdha për të dalë jashtë territorit, për t’u bërë një element kyç se si teknologjia që ne përdorim, dhe aq më shumë startup-et, të cilët 63% të atyre që na vijnë janë me AI.”, u shpreh Arjan Ymeri, drejtor i startup Albania.
Përtej tregut shqiptar, ComplyOn AI synon të shtrijë aktivitetin në vendet e Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur përdorimi i inteligjencës artificiale po rritet me shpejtësi. Përmes identifikimit të sistemeve, vlerësimit të rreziqeve dhe evidentimit të mangësive ligjore, platforma synon t’u japë organizatave një instrument konkret për të kontrolluar teknologjinë që përdorin dhe për të garantuar që ajo të funksionojë në përputhje me standardet evropiane. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *AnashAktualitet
