Lajme Zone
Pretendoi se e sulmuan katër persona/ 27-vjeçari pranon vrasjen e ish të dashurës në Greqi, plagosi veten që t’i shpëtonte policisë
BotëTop Channel

Pretendoi se e sulmuan katër persona/ 27-vjeçari pranon vrasjen e ish të dashurës në Greqi, plagosi veten që t’i shpëtonte policisë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Igumenicën në Greqi, ku një 25-vjeçare u vra nga ish-partneri i saj 27-vjeçar.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Igumenicën në Greqi, ku një 25-vjeçare u vra nga ish-partneri i saj 27-vjeçar. Sipas autoriteteve, i riu ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka deklaruar se gjithçka ndodhi pas një konflikti të ashpër mes tyre.

Vajza, e identifikuar si Penelope, punonte prej më shumë se një viti në një kompani të kultivimit të midhjeve. Një prej kolegëve të saj e përshkroi si një vajzë të arsimuar dhe shumë të mirë, duke thënë se ajo kishte studiuar biologji dhe punonte në profesionin e saj.

Sipas dëshmisë së të dyshuarit, mes tij dhe 25-vjeçares kishte nisur një debat, ndërsa një prej çështjeve që po diskutonin lidhej me një detyrim financiar. Kreu i sindikatës së punonjësve të policisë në Thesproti, Vasilis Nakos, tha se 27-vjeçari pretendoi se i detyrohej vajzës para dhe se ishte takuar me të për të zgjidhur këtë çështje.

Pas konfliktit, ai dyshohet se e goditi me një thikë në qafë dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.

25-vjeçarja u gjet pak më vonë e gjakosur dhe pa ndjenja në një strukturë pranë shtegut të biçikletave. Ekipi i urgjencës që mbërriti në vendngjarje konstatoi vdekjen e saj.

Në kontaktet e para me policinë, 27-vjeçari kishte pretenduar se ai dhe ish-partnerja e tij ishin sulmuar nga katër persona me fytyra të mbuluara, të cilët më pas ishin larguar.

Më vonë, sipas autoriteteve, ai ndryshoi dëshminë dhe pranoi se kishte sulmuar 25-vjeçaren pas debatit. Policia arriti ta lokalizonte pak kohë më pas.

I riu u gjet me plagë në kraharor, të cilat dyshohet se ia kishte shkaktuar vetes. Ai u transportua fillimisht në spitalin e Igumenicës dhe më pas në Spitalin e Përgjithshëm të Filatit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas informacioneve të raportuara nga mediat greke, ai dhe viktima kishin qenë në një lidhje, por ishin ndarë rreth një muaj më parë. Autoritetet po hetojnë edhe historikun e marrëdhënies së tyre për të zbardhur plotësisht rrethanat që çuan në vrasje.

Kolegët e 25-vjeçares kanë shprehur tronditjen për ngjarjen, duke deklaruar se ende nuk arrijnë ta besojnë atë që ka ndodhur. Top Channel