Dje gazetat, websitet dhe rrjetet sociale u "çanë" nga lajmi se Dr. David Morens, vartës i Dr. Anthony Faucit, pranoi fajësinë para gjykatës për "krimin e fshehjes së origjinës së COVID-it". A është i vërtetë ky lajm?
Le të shohim fillimisht faktet. Në 27 maj 2014, organizata e drejtuar nga Dr. Fauci i dha EcoHealth Alliance, një organizatë jofitimprurëse e drejtuar nga Dr. Peter Daszak (i pranuar si mik i Dr. David Morenos), një grant prej rreth 700 mijë USD me qëllim të të studionte rreziqet që u vijnë njerëzve nga koronaviruset që qarkullojnë midis lakuriqëve të natës. Për të kuptuar përsenë e kësaj kontrate, duhet kujtuar se vitin 2012 ishte shfaqur sëmundja MERS pas asaj SARS me shkaktar koronaviruset, të dy sëmundje me vdekshmëri shumë të lartë. Ky grant u pasua nga grante të tjerë dhe totali arriti në 3.5 milionë dollarë.
Duke nisur nga muaji qershor 2014 deri maj 2019 EcoHealth Alliance nënkontraktoi Wuhan Institute of Virology (WIV). Financimi total për WIV ishte rreth 800 mijë dollarë. Kjo sepse Kina është rezervuari më i madh natyral i lakuriqëve të natës që bartin dhjetëra ose ndoshta qindra apo mijëra koronaviruse. Qëllimi i subkontraktimit ishte mbledhja e koronaviruseve të lakuriqëve dhe vlerësimi i rrezikut të kalimit tek njerëzit.
Nga viti 2016 deri në vitin 2018, WIV testoi eksperimentalisht koronaviruse të shumtë tek minjtë e ndryshuar gjenetikisht për t'u bërë më të ngjashëm me njerëzit (kjo ngjan e "frikshme", por në sajë të këtyre minjve janë prodhuar disa prej medikamenteve më të mira që disponojmë sot). Pra një mi që nga ana gjenetike ngjan me njerëzit, infektohet nga një koronavirus për të kuptuar se si mund të reagojë organizmi i njeriut kur infektohet nga i njëjti agjent.
Në 24 prill 2020, kur WIV përfi i akuzuar si një ndër burimet e mundshme të SARS-CoV-2, shkaktarit të pandemisë së COVID-it, NIH ja ndërpreu grantin EcoHealth Alliance.
Nga kjo datë e në vazhdim, Dr. David Morens dhe persona të tjerë komunikuan me EcoHealth Alliance dhe autoritete të tjera në përpjeke për ta rikthyer financimin. Dr. Morens ka pranuar para gjykatës se komunikimet për këtë i ka bërë nga emaili privat, me qëllim që të mos zbuloheshin nga autoritetet që janë përgjegjëse për transparencën e informacionit.
Në 8 korrik 2020, NIH e kaloi grantin nga statusi i anuluar në atë të pezulluar.
Në 18 gusht 2026, Dr. Morens pranon fajin e kalimit të korrespondencës, lidhur me ndihmën që i ka dhënë EcoHealth Alliance për të rifituar grantin e anuluar, nga adresa zyrtare e emailit tek ajo private.
Personalisht arrij dy përfundime nga kjo ngjarje.
A është fajtor Dr. David Morens?
Ligji amerikan është i qartë dhe i prerë në këtë pikë. Komunikimet zyrtare bëhen vetëm nga adresa zyrtare dhe akti i transparencës së informacionit i detyron autorët e komunikimeve t'i bëjnë ato publike (sigurisht me përjashtime të caktuara, siç mund të jenë p.sh. sekretet shtetërore).
Hillary Clinton besohet se humbi presidencën për një arsye të ngjashme. Ishte pikërisht skandali që pasoi publikimin e përdorimit të emailit privat, ai që i kushtoi jo pak në popullaritet zonjës Clinton dhe çoi në fitoren e Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2016.
Pra nuk ka asnjë dyshim se Dr. David Morens ka kryer një krim i cili mund të dënohet deri me 5 vjet burg dhe një gjobë të majme.
Por a provon ky pranim fajësie edhe faktin se në Wuhan u prodhuan qëllimisht viruse vdekjeprurës?
Për mendimin tim provon të kundërtën. Nëse do të kishte patur një veprimtari të qëllimshme për të prodhuar viruse dhe më pas për të shkaktuar një pandemi me to, autorët do të përpiqeshin me çdo kusht të fshihnin gjurmët dhe jo të vazhdonin të kërkonin financime publike.
Interpretimi im dhe i disa personave që kam ndjekur dje në rrjetet sociale është se Dr. Morens i nxitur nga arsye shoqërore ose kurruptive, ka dashur të ndihmojë EcoHealth Alliance të rifitonte kontratën e anuluar. Flitet se i janë dhuruar edhe disa shishe verë (që për ligjin amerikan janë gjithsesi të dënueshme sepse klasifikohen tek rryshfetet), por kalimi në këtë nivel e bën diskutimin qesharak.
Po të pranojmë teorinë më të dashur të konspiracionistëve, "prodhojmë një virus vdekjeprurës për të krijuar një pandemi dhe për të shitur vaksina", fitimet e supozuara në miliarda dollarë do të vinin nga firmat farmaceutike "bashkëfajtore" në përbetim dhe jo nga "qindarkat" e financimeve publike.
Sidoqoftë ky është një gjyq dhe hetim që vazhdon dhe interpretimi i fundit është thjesht interpretimi im subjektiv, bazuar tek ajo çka dihet deri tani. Fakte të reja që mund të zbulohen, sigurisht do të hedhin më shumë dritë mbi të vërtetën.
Le të presim e të mësojmë.../ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

