Pas gati tre muajsh protestë, qytetarët që prej 94 ditësh protestojnë kundër qeverisë kanë ndryshuar sot skenarin, duke u zhvendosur drejt godinës së Kryeministrisë. Protestuesit pretendojnë se shkak për këtë ndryshim ka qenë shkuarja e kryeministrit Edi Rama në zyrën e tij. Prania e kreut të qeverisë në Kryeministri është konsideruar prej tyre si një provokim, çka i ka shtyrë të ndryshojnë mënyrën e zhvillimit të tubimit dhe të synojnë bllokimin e hyrjeve të godinës. Ndryshe nga ditët e mëparshme, ku protesta është zhvilluar kryesisht përballë Kryeministrisë, sot protestuesit janë afruar te hyrjet e godinës dhe kanë kërkuar largimin e Edi Ramës. Thirrjet për dorëheqjen e Ramës dhe arrestimin e tij kanë shoqëruar tubimin.
Vendosja e kordonit të policisë përballë hyrjes së Kryeministrisë ka sjellë përplasje të përsëritura mes efektivëve dhe protestuesve. Policia ka tentuar t'i largojë qytetarët nga godina, ndërsa këta të fundit kanë kundërshtuar ndërhyrjen e efektivëve. Situata është tensionuar edhe më tej me mbërritjen e autobotit të ujit, i cili është pozicionuar pas forcave të policisë. Po ashtu, mësohet se ka patur edhe shoqërime të protestuesve nga policia. Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa tensionet përpara Kryeministrisë mbeten të larta. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

