Lajme Zone
Portier italian për Shqipërinë? Mediat fqinje hapin rregulloret: Ja sa shanse ka Caprile të vishet kuqezi
PolitikëTop Channel

Portier italian për Shqipërinë? Mediat fqinje hapin rregulloret: Ja sa shanse ka Caprile të vishet kuqezi

Marrja e pasaportës shqiptare nga Elia Caprile ka rikthyer vëmendjen te mundësia që portieri i Cagliarit të veshë fanellën kuqezi, por një rast i ngjashëm i ndodhur në futbollin evropian mund ta komplikojë këtë skenar.

Marrja e pasaportës shqiptare nga Elia Caprile ka rikthyer vëmendjen te mundësia që portieri i Cagliarit të veshë fanellën kuqezi, por një rast i ngjashëm i ndodhur në futbollin evropian mund ta komplikojë këtë skenar. Media italiane Sportmediaset ka vënë në dukje precedentin e mesfushorit Vitaly Janelt, i cili u përball me një situatë të ngjashme kur u diskutua mundësia që ai të përfaqësonte Bosnjën, vend me të cilin kishte lidhje përmes bashkëshortes së tij.

Sipas raportimit, FIFA nuk e lejoi Janeltin të ndryshonte përfaqësuese, pavarësisht lidhjes familjare me Bosnjën. Mesfushori përfundimisht debutoi me kombëtaren e Gjermanisë. Ky precedent rikthen pikëpyetjet mbi mundësinë që Caprile të jetë i disponueshëm për Shqipërinë, edhe pas marrjes së shtetësisë shqiptare.

Portieri italian është pajisur me shtetësinë shqiptare përmes një dekreti të presidentit Bajram Begaj, të firmosur më 19 tetor. Lidhja e tij me Shqipërinë vjen përmes bashkëshortes, Emili Toshkollari, e cila është me origjinë shqiptare.

Megjithatë, marrja e shtetësisë nuk nënkupton automatikisht se një futbollist ka të drejtë të përfaqësojë kombëtaren e vendit që i ka dhënë pasaportën. Për këtë nevojitet përmbushja e kritereve sportive të përcaktuara nga FIFA dhe, në rastin konkret, shqyrtimi i dokumentacionit përkatës nga institucioni drejtues i futbollit botëror.

Caprile nuk ka prejardhje shqiptare dhe nuk ka lidhje familjare të njohur me Shqipërinë përtej bashkëshortes së tij. Pikërisht kjo është një nga çështjet që mund ta vështirësojë procesin e kalimit të tij te kuqezinjtë.

Një tjetër element që duhet marrë në konsideratë është e kaluara e portierit me përfaqësueset italiane. Caprile ka qenë pjesë e Italisë U-18 dhe U-21, ndërsa më 7 nëntor 2025 u grumbullua edhe nga trajneri i atëhershëm i kombëtares A, Gennaro Gattuso.

Megjithatë, ai nuk u aktivizua në asnjë ndeshje me ekipin e parë të Italisë. Kjo e lë të hapur çështjen e një ndryshimi të mundshëm të përfaqësueses, por nuk e zgjidh problemin e kritereve të tjera që kërkon FIFA.

Për momentin, pasaporta shqiptare është një hap i rëndësishëm në aspektin ligjor, ndërsa mundësia që portieri i Cagliarit të luajë për Shqipërinë mbetet e lidhur me vendimin përfundimtar të FIFA-s. Top Channel