Policia e Tiranës ka ushtruar kontrollet të befasishme në terren në Tiranë, me fokus parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe rritjen e sigurisë publike. Gjatë operacionit janë verifikuar dhjetëra automjete dhe shtetas, ndërsa janë evidentuar disa shkelje. Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë zhvilluar kontrolle të shtuara në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit. Kontrollet janë përqendruar në evidentimin e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe në verifikimin e automjeteve luksoze, mjeteve të blinduara dhe atyre me xhama të errësuar në kundërshtim me normat e Kodit Rrugor. Sipas të dhënave të Policisë, gjatë kontrolleve janë: kontrolluar dhe verifikuar 61 automjete luksoze; verifikuar 82 shtetas me precedentë kriminalë në fusha të ndryshme; hequr xhamat e errësuar nga 11 automjete luksoze; konstatuar dhe hequr 61 xhama të errësuar, përfshirë edhe raste në xhamin e përparmë; shoqëruar 5 automjete në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për verifikime të mëtejshme, mes tyre edhe një mjet i blinduar. Gjatë kontrolleve janë shoqëruar edhe 6 shtetas, pasi ndaj tyre janë konstatuar shkelje të ndryshme. Policia bën me dije se gjatë verifikimeve janë gjetur lëndë narkotike, shkopinj bejsbolli dhe shkopinj metalikë, ndërsa është evidentuar edhe një drejtues automjeti që drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
