Duket se rregullat e qarkullimit rrugor nuk vlejnë njësoj për të gjithë. Të paktën kështu të krijohet përshtypja nga pamjet e denoncuara sot në JOQ, ku një automjet i Policisë së Shtetit kryen parakalim mbi vijat e pandërprera në zonën e Vidhasit, në Elbasan.
Makina e policisë, me targë AB350IB, shihet duke kryer një manovër që për drejtuesit e zakonshëm të mjeteve mund të përkthehet në gjobë, ndërsa në raste të caktuara edhe në rrezik serioz për sigurinë rrugore.
Ironia është se pikërisht ata që duhet të garantojnë zbatimin e ligjit dhe t'u kërkojnë qytetarëve respektimin e rregullave, shihen duke i shkelur ato. Ndërkohë, për shoferët e zakonshëm, kontrollet dhe gjobat janë kthyer në një realitet të përditshëm, ku një shkelje mund t'u kushtojë jo pak nga buxheti familjar.
Qytetarët mbushen me gjoba për shkeljet në rrugë, por kur shkelja bëhet nga makina e policisë, kush e mban përgjegjësinë? Apo uniforma dhe targat e institucionit mjaftojnë për të kaluar aty ku të tjerëve u ndalohet?
Nëse automjeti ishte në një ndërhyrje emergjente, kjo duhet sqaruar. Por nëse jo, atëherë mbetet pyetja se përse qytetarët duhet të paguajnë për shkeljet e tyre, ndërsa ata që u kërkojnë llogari të tjerëve mund të përfjnë duke bërë të njëjtën gjë.
Zoti Skënder Hita, a do të ketë një sqarim për këtë rast, apo gjobat vlejnë vetëm për qytetarët?

