Emri i Andrea Pirlos është përfshirë në polemika pas lidhjes së tij si ambasador imazhi me kompaninë ruse të basteve Fonbet, një prej operatorëve më të mëdhenj të këtij sektori në Rusi. Marrëveshja mes Pirlos dhe Fonbet u bë publike më 9 tetor 2025, kur ish-mesfushori italian u emërua “global brand ambassador” i kompanisë. Partneriteti tërhoqi vëmendje për shkak të lidhjeve të Fonbet me tregun rus dhe marrëdhënieve të Pirlos me ish-futbollistin ukrainas Andriy Shevchenko.
Por kush është Fonbet dhe figura që qëndron pas saj?
Kompania lidhet me biznesmenin rus Sergey Lomakin, një prej sipërmarrësve më të njohur në vend. Sipas të dhënave të vitit 2025, pasuria e tij vlerësohet rreth 1.2 miliardë dollarë. Ai e ka krijuar një pjesë të madhe të pasurisë përmes rrjetit të dyqaneve me ulje “Fixprice”, që operon në Rusi dhe Europën Lindore.
Lomakin është gjithashtu i përfshirë në futboll. Ai zotëron klubin e Emirateve të Bashkuara Arabe United FC, ku Pirlo është trajner që nga viti 2025, si dhe klubin Rodina Moskë. Në portofolin e tij është edhe Pafos i Qipros, skuadër që ka qenë pjesë e garave europiane. Për disa vite ai ka qenë pronar edhe i klubit letonez Riga FC.
Në të kaluarën, Lomakin ka shfaqur interes edhe për klube të tjera europiane, përfshirë Udinesen në Itali dhe Saint-Etienne në Francë, por marrëveshjet nuk u finalizuan.
Fonbet është një prej operatorëve kryesorë të basteve sportive në Rusi. Kompania është themeluar në vitin 1994 dhe ishte ndër të parat që u orientua drejt shërbimeve online, duke nisur aktivitetin e basteve në internet që në vitin 2002.
Sot kompania ka rreth 4 mijë punonjës dhe dhjetëra pika fizike bastesh në Moskë. Fonbet është partnere zyrtare e Federatës Ruse të Futbollit dhe e Kontinental Hockey League, një prej kompeticioneve më të rëndësishme të hokejit në rajon.
Kompania ka qenë gjithashtu sponsore kryesore e Match TV, platformës televizive sportive të lidhur me grupin energjetik rus Gazprom.
Për shkak të kufizimeve dhe sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë, zgjerimi i Fonbet jashtë tregut vendas është vështirësuar vitet e fundit. Për këtë arsye, kompania ka investuar më shumë në marketing dhe në bashkëpunime me figura të njohura të futbollit ndërkombëtar.
Mes emrave që kanë promovuar kompaninë janë edhe ish-futbollistët italianë Andrea dhe Marco Materazzi. Të dy ishin pjesë e një aktiviteti sportiv të organizuar në stadiumin “Luzhniki” në Moskë, ku deklaruan se ishin të pranishëm vetëm për sportin dhe për fëmijët.
Tashmë, Pirlo, imazhi i të cilit vijon të shfaqet në faqet promovuese të Fonbet, ndodhet përballë një situate të ndjeshme, pasi duhet të menaxhojë kontratën me kompaninë ruse dhe reagimet që kanë shoqëruar këtë partneritet. Top Channel

