Bashkimi Evropian dënoi deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.
“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper duke iu adresuar gazetarëve në Bruksel.
Sipas saj, ato bien ndesh edhe me zotimet që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, shtoi Hipper.
Ngjashëm reagoi edhe komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila tha se është e tronditur nga deklarata e ministres Paunoviç.
Ajo shfaqi shpresën se bëhet fjalë për një qëndrim individual, e jo për qëndrimin e gjithë Qeverisë së Serbisë.
“Për deklarata të tilla mund të ketë vetëm tolerancë zero. Në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton, promovon apo madhëron spastrimin etnik. Personalisht, jam vërtet e tmerruar që në këtë kohë duhet të flasim ende për gjëra të tilla”, tha Kos në një konferencë për media.
Çfarë tha Paunoviç?
Paunoviç deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Millosheviçit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”, deklaratë që nxiti reagime dhe dënime edhe në Kosovë.
Millosheviç ishte president i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte.
“Kjo është deklarata më e ashpër që kam bërë ndonjëherë në jetën time”, tha Paunoviç.
Ajo tha se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.
Në një reagim të publikuar më 14 korrik, Paunoviç tha se nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë – pjesë e së cilës është që nga viti 1992.
“Ne jemi partia që e udhëhoqi Serbinë në rrethana jashtëzakonisht të vështira historike, partia që bëri sakrifica të mëdha – emri i së cilës është përmendur më së shumti në Hagë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Paunoviç është nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 2024.
Kryetari i kësaj partie, Ivica Daçiç, njëherësh ministër i Brendshëm i Serbisë, i cilësoi si “të turpshme dhe hipokrite” kritikat ndaj ministres.
Ai tha se ata që e akuzojnë Paunoviçin se “ka bërë thirrje për spastrim etnik”, tash e sa vite, “heshtin për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova”. Top Channel

