Një 76-vjeçar ka humbur jetën pasditen e sotme në fshatin Greshicë të Bashkisë Mallakastër, teksa po përpiqej të shuante një zjarr që kishte përfshirë një ullishte. Sipas informacioneve paraprake, viktima Nazif Cenaj, dyshohet se ka hyrë në zonën e përfshirë nga flakët për të ndërhyrë dhe fikur zjarrin, por nuk ka mundur të dalë prej saj.
Ngjarja ka shkaktuar viktimën e parë të raportuar nga zjarret në këtë zonë, ndërsa në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e policisë.
“Rreth orës 12:00, në fshatin Greshicë, Mallakastër, shtetasi N. C., 76 vjeç, dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturinat. Më pas, në përpjekje për të shuar flakët, ky shtetas ka humbur jetën”, njofton policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Top Channel

