Banorët e Spitallës në Durrës kanë dalë sot në protestë kundër situatës së krijuar te ish-Parku i Autobusëve, ku vijojnë të depozitohen çdo ditë mbetjet urbane përpara se të transportohen drejt landfillit të Sharrës. Hapësira, e parashikuar fillimisht si një zgjidhje e përkohshme, sipas banorëve funksionon prej vitesh dhe është kthyer në një vatër të rëndë ndotjeje, ndërsa vendgrumbullimi tranzit i premtuar nga Bashkia nuk është ndërtuar ende. Era e rëndë e plehrave, veçanërisht gjatë temperaturave të larta të verës, depërton në banesat përreth.
Banorët thonë se ankesat e përsëritura ndaj Bashkisë nuk kanë sjellë zgjidhje, ndaj sot kanë bllokuar për rreth një orë lëvizjen e kamionëve të mbetjeve. Një prej banorëve deklaroi se mbi 300 familje preken nga kjo situatë dhe se protesta nuk ka karakter politik: “Nuk jemi këtu për arsye politike, për të mos thënë që të gjithë këta që protestojnë këtu janë të gjithë socialistë. Ne kemi dalë për problemin tonë, për fëmijët tanë.” Ai shtoi se prej më shumë se tre vitesh familjet janë detyruar të jetojnë me dritaret e mbyllura për shkak të erës së plehrave.
Banorët kërkojnë largimin e menjëhershëm të vendgrumbullimit dhe ndërtimin e një zgjidhjeje të përhershme për depozitimin tranzit të mbetjeve. “Ka mbi 3 vite që nuk hapim dritaret, është e pamundur. Po kërkojmë të hiqen plehrat, të bëhet gjëja më minimale. Drejtorët që punojnë në komunale të vijnë të qëndrojnë vetëm 30 minuta këtu dhe ta kuptojnë se çfarë po ndodh”, u shpreh banori. Protestuesit kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve, duke paralajmëruar se problemi nuk mund të vijojë të zvarritet ndërsa qindra familje përballen çdo ditë me ndotjen dhe erën e rëndë.

