Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) ka hapur një konkurs ndërkombëtar për transformimin e ish-bazës ushtarake dhe Tunelit të Nëndetëseve në Porto Palermo në një kompleks të ri publik kushtuar kujtesës së Luftës së Ftohtë, kulturës dhe vizitës. Projekti parashikon që tuneli i nëndetëseve të bëhet Muzeu i Luftës së Ftohtë, ndërsa ish-kazermat ushtarake të ripërdoren për akomodim, gastronomi, aktivitete kulturore dhe edukative. LEXO edhe... Fuoristrada e vjedhur gjendet e djegur në një tunel të vjetër ushtarak në Cerkovinë të Vlorës! Dyshohet se është përdorur me veprimtari të paligjshme (VIDEO) “Dikur i ndërtuar për të mbetur i fshehur. Nesër, një mundësi për të hyrë, kuptuar dhe kujtuar”, thuhet në thirrjen e publikuar nga AKPT, e cila fton arkitektë dhe ekipe multidisiplinare nga Shqipëria dhe jashtë vendit të paraqesin koncept-idetë e tyre. Konkursi organizohet nga AKPT në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Institutin e Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake. Sipas dokumentacionit të konkursit, AKPT është ngarkuar si organi qendror blerës për zhvillimin e procedurës. Në qendër të ndërhyrjes është Tuneli i Nëndetëseve. Dokumenti e përshkruan atë jo thjesht si hapësirën ku do të vendoset muzeu, por si vetë objektin kryesor të tij. “Tuneli nuk është thjesht një hapësirë në të cilën duhet vendosur një muze. Vetë tuneli është artefakti kryesor i muzeut”, thuhet në termat e referencës. Tuneli ka një gjatësi të raportuar prej rreth 655 metrash, lartësi rreth 11 metra dhe gjerësi minimale rreth 11 metra. Pjesa ujore varion nga rreth 7 deri në 14 metra në gjerësi, ndërsa thellësia është kryesisht 6-8 metra dhe në zona të caktuara arrin rreth 11 metra. Kompleksi nëntokësor nisi të ndërtohej në 1969, gjatë bashkëpunimit të atëhershëm mes Shqipërisë dhe Kinës, dhe punimet vijuan për afro dy dekada. Ai u projektua fillimisht për mjete detare dhe më pas u përshtat për përdorimin nga flota shqiptare e nëndetëseve, përfshirë nëndetëset e Projektit 613, të njohura nga NATO si klasa “Whiskey”. Tuneli ishte projektuar sipas standardeve të kohës për mbrojtjen antibërthamore. Dy portat e tij të blinduara dhe hermetike ishin ndërtuar për t’u rezistuar sulmeve ajrore dhe shpërthimeve deri në 10 kiloton. Hyrja jugore është sot e hapur, ndërsa porta veriore mbetet e mbyllur. Ish-kazermat, nga baza ushtarake në qëndrim për vizitorët Konkursi shkon përtej muzeut në brendësi të tunelit. Ish-kazermat, shumica e të cilave janë aktualisht të degraduara, do të marrin funksione të reja. Dokumenti parashikon që akomodimi të jetë i lidhur drejtpërdrejt me identitetin e ish-bazës, muzeun dhe peizazhin. Në ish-kazerma mund të zhvillohen gjithashtu funksione pritjeje, gastronomi, edukim, kulturë dhe shërbime të tjera të nevojshme për kompleksin. Termat e referencës përcaktojnë se vizitorët mund të qëndrojnë në Porto Palermo për një natë ose për periudha më të gjata, të lidhura me programe kulturore, edukative apo kërkimore. Por dokumenti vendos një kufi të qartë ndaj zhvillimit tradicional turistik. “Qëllimi nuk është krijimi i një destinacioni konvencional turistik bregdetar”, por një formë mikpritjeje e lidhur me historinë, kulturën, peizazhin dhe karakterin e Porto Palermos. Po kështu, projekti nuk duhet të synojë maksimizimin e shtretërve. Termat kërkojnë që kapaciteti i akomodimit të përcaktohet nga potenciali i ndërtesave ekzistuese, cilësia e qëndrimit dhe kapaciteti real i territorit. Synimi është që muzeu, aktivitetet kulturore dhe qëndrimi në ish-bazë të krijojnë arsye për ta vizituar Porto Palermon edhe jashtë sezonit veror. Dokumenti kërkon gjithashtu lidhje me ekonominë vendase përmes punësimit, sipërmarrjeve të vogla, gastronomisë lokale, artizanatit, guidave dhe shërbimeve të tjera. Një pjesë e Porto Palermos mbetet bazë ushtarake Transformimi nuk do të përfshijë të gjithë ish-kompleksin. Një pjesë e Porto Palermos vazhdon të përdoret nga Forcat Detare Shqiptare për funksione operacionale dhe stërvitore. Moli i vogël dhe godina pranë tij do të mbeten në përdorim ushtarak, ndërsa helipadi do të vazhdojë të ruajë funksionin operacional të Forcave Detare. Jashtë periudhave kur nevojitet për operacione ose stërvitje, helipadi mund të përdoret edhe nga kompleksi i ri, sipas kushteve të sigurisë. Konkursi zhvillohet gjithashtu brenda një territori të mbrojtur. Parku Natyror i Gjirit të Porto Palermos ka një sipërfaqe prej rreth 1,695 hektarësh, gati 88% e së cilës është detare. Zona me regjim strikt mbrojtjeje që mbivendoset me territorin e konkursit përcaktohet si zonë pa ndërhyrje fizike. Edhe Kalaja e Porto Palermos mbetet jashtë ndërhyrjes. Sipas kushteve të konkursit, ajo nuk është objekt projektimi dhe duhet të trajtohet si pjesë e eksperiencës së përgjithshme të vizitorit dhe e marrëdhënies mes muzeut, gjirit dhe peizazhit./ Monitor Xh.K/ReportTv.al porto palermo himare Vlore Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 78.9% Magjistratëve 15.3% Nuk e di 5.9% Vota total: 8502 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?

