Një rast flagrant i futjes në vend të një ngarkese prej 27 tonësh mish derri të pacertifikuar nga Brazili është investiguar nga emisioni “Fiks Fare”. Më konkretisht më 7 tetor në vend ka mbërritur një ngarkesë, importuar nga subjekti “King Mit”, prej 27 tonësh mish derri të pacertifikuar, e shoqëruar me dokumente të dyshuara si të falsifikuara.
Këtij rasti, CNA i ka shkuar më tej dhe sipas të dhënave, pasi është konstatuar sasia prej 27 tonësh mish derri i pacertifikuar nga Drejtoria e Doganave është vënë në lëvizje dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Bëhet me dije se në këtë subjekt kanë shkuar inspektorët e AKU Fier dhe i kanë vendosur subjektit vetëm 200 mijë lekë të reja gjobë për gjurmimin, ndërkohë që në fakt kishin të bënin me një import të jashtëligjshëm.
Për këtë rast, inspektorët e Fierit menjëherët duhet t’i ishin drejtuar Drejtorisë së Përgjithshmë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Ministrisë përgjegjëse, asaj të Bujqësisë dhe siç e thotë qartë dhe ligji në këto raste, subjektit duhet t’i hiqet menjëherë licenca.
Por në këtë rast, siç duket inspektorët ose kanë futur duart ose kanë mbushur xhepat dhe e kanë mbyllur të gjithë ngjarjen me një masë qesharake duke bërë që kompania të hedhë në treg 27 tonë mish të pacertifikuar nga Brazili. Për të vijuar më tej, bëhet me dije se AKU ka ngritur një grup pune për të bërë një inspektim më të detajuar dhe për të hetuar sërish më me saktësi se çfarë ka ndodhur.
Pas verifikimeve të bëra nga inspektorët e AKU Tiranë, ajo që ka rënë në sy është fakti se inspektorët e Fierit nuk kanë qenë bashkëpunues, ndërsa ato të Tiranës e kanë zbërthyer skemën dhe kanë përgatitur një memo për drejtoreshën e përgjithshme të AKU-së, Blerina Gjylametin duke lënë detyre që të asgjësohej komplet produkti në 8 tetor. Për këtë AKU duhet të publikojë dhe memon e përgatitur nga inspektorët e AKU Tiranë.
Sot më shumë se një muaj më vonë nuk ka ndodhur asgjësimi dhe për më tepër jemi përballë një rasti flagrant ku fatkeqësisht inspektorët e AKU Fier, në papërgjegjshmëri apo korrupsion, bashkë me drejtoreshën e AKU Fier po tolerojnë një import të jashtëligjshëm.
Ndërkohë që vetë inspektorët e AKU Tiranë në vlerësimin e tyre kanë dalë në konkluzionin që kemi të bëjmë me një import të jashtëligjshëm.
Skandali qëndron dhe te fakti se ky subjekt, mund të vazhdojë importet përsëri. Duke parë këtë situatë dhe mbylljen e syve nga inspektorët e AKU-së, duket se shqiptarët i ruan Zoti.
Duhet me çdo kusht që ky rast të hetohet nga strukturat përgjegjëse, qoftë të Ministrisë së Bujqësisë, Kryeministrisë, Prokuroria pse jo deri të SPAK.
Si mundet që tre inspektorë në Fier të marrin në qafë me dhjetëra mijëra qytëtarë. Një fakt që do parë që në themel eshtë pse është lejuar që kjo sai të hyjë në Durrës. Këtu topi hidhet sa te AKU Fier dhe te AKU Tiranë ndërkohë që 27 tonë mish nuk janë asgjësuar dhe nuk dihet dhe sa sasi të tilla mund të hyjnë sërish në vend. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

