Mjekët në Sri Lanka kanë hequr një gur prej 3.1 kg nga fshikëza urinare e një burri, për të cilin besojnë se është më i madhi i këtij lloji i regjistruar ndonjëherë.
Procedura u krye javën e kaluar në një spital në Trincomalee, në lindje të vendit.
Pacienti 55-vjeçar ishte shtruar në spital pasi kishte pësuar një goditje në tru. Gjatë trajtimit, mjekët konstatuan se ai kishte gurë në fshikëzën urinare, pasi kishte vënë re vështirësi në urinim.
Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, mjekët hoqën gurin, i cili peshonte 3.1 kg, afërsisht sa një foshnjë e lindur në kohë. Guri ishte rreth 18.7 cm i gjatë dhe me përmasa të ngjashme me një vezë struci.
“Sipas të dhënave në dispozicion, është guri më i madh i fshikëzës i dokumentuar dhe i hequr përmes ndërhyrjes kirurgjikale”, tha për BBC Sinhala Dr Pragalathan Balakrishnan, kirurgu që drejtoi operacionin.
Ai shtoi se pacienti ishte në “gjendje shumë të mirë shëndetësore”.
Pacienti vijon të qëndrojë në spital, ku po merr trajtim edhe për problemet e tjera shëndetësore.
Sipas Dr Balakrishnan, guri mund të ketë qëndruar në fshikëzën e pacientit për rreth pesë deri në dhjetë vjet.
Sipas BBC-së, guri kishte një gjatësi prej 18.7 cm. Për krahasim, një gur fshikëze më i madh se 4 cm konsiderohet gjigant.
Burimi: BBC

