Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit ka marrë përmasa më të tensionuara, pasi një grup protestuesish ka shkulur kangjellat dhe gurët e trotuarit përpara institucionit, duke i përdorur më pas për të goditur godinën dhe forcat e rendit të vendosura në oborrin e ministrisë.
Disa prej protestuesve, të maskuar, kanë arritur të dëmtojnë derën e hyrjes së ministrisë dhe të tentojnë ta hapin atë, duke e goditur me kangjella.
Ndërkohë, pranë institucionit është shtuar prania e forcave të policisë, të cilat deri në këto momente nuk kanë ndërhyrë, pavarësisht tensioneve të krijuara.
Protesta nisi me marshimin e studentëve të Mjekësisë, të cilëve më pas iu bashkuan edhe studentë nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe fakultete të tjera. Tubimi u zhvillua më herët nga sa ishte njoftuar fillimisht, ndërsa studentët vijojnë të kërkojnë që shqetësimet dhe kërkesat e tyre të merren në konsideratë nga autoritetet.
Situata mbetet e tensionuar në zonën përpara Ministrisë së Arsimit, ku vijon grumbullimi i protestuesve dhe mbetet e shtuar prania e forcave të rendit.

