Lajme Zone
Përplasje për 600 milionë dollarë/ Vajza e Michael Jackson padit administratorin e pasurisë së të atit
KulturëGazeta Tema

Përplasje për 600 milionë dollarë/ Vajza e Michael Jackson padit administratorin e pasurisë së të atit

Paris Jackson ka nisur një betejë ligjore për 600 milionë dollarë nga pasuria e babait të saj, legjendës së muzikës Michael Jackson. Vajza e këngëtarit ka kërkuar ndërhyrjen e gjykatës për transferimin e kësaj shume në fondin familjar, nga i cili përfitojnë ajo dhe dy vëllezërit e saj, Prince dhe Bigi.

Paris Jackson ka nisur një betejë ligjore për 600 milionë dollarë nga pasuria e babait të saj, legjendës së muzikës Michael Jackson. Vajza e këngëtarit ka kërkuar ndërhyrjen e gjykatës për transferimin e kësaj shume në fondin familjar, nga i cili përfitojnë ajo dhe dy vëllezërit e saj, Prince dhe Bigi.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga “Page Six”, kërkesa është depozituar më 29 tetor në Gjykatën e Lartë të Los Angeles-it. Paris pretendon se, pavarësisht të ardhurave të jashtëzakonshme që ka gjeneruar trashëgimia e të atit, fondi familjar ende nuk është financuar në mënyrën e parashikuar.

Në qendër të përplasjes është John Branca, administratori shumëvjeçar i pasurisë së Michael Jackson. Paris e akuzon atë se ushtron kontroll të tepruar mbi fondet dhe vendos vetë se kur fëmijët e këngëtarit mund të përfitojnë prej tyre.

Ajo pretendon gjithashtu se, pasi nisi të kundërshtonte mënyrën e administrimit të trashëgimisë dhe disa pagesa të kryera për bashkëpunëtorë të administratorit, u përball me veprime ligjore dhe sulme publike. Sipas saj, edhe shumat që përfitonin ajo dhe vëllezërit u reduktuan me miliona dollarë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e trashëgimisë i kanë hedhur poshtë akuzat. Sipas tyre, fondet nuk mund të shpërndahen plotësisht për shkak të çështjeve ligjore dhe detyrimeve tatimore ende të pazgjidhura.

Ata kanë kujtuar edhe mosmarrëveshjen me autoritetet tatimore amerikane, të cilat kishin kërkuar rreth 700 milionë dollarë taksa dhe gjoba. Përfaqësuesi i pasurisë pretendon se deri tani Paris dhe përfituesve të tjerë u janë shpërndarë më shumë se 200 milionë dollarë ose janë përdorur fonde në interes të tyre.

Trashëgimia e Michael Jackson ka gjeneruar të ardhura marramendëse që prej vdekjes së tij në vitin 2009. Mes marrëveshjeve më të rëndësishme ishte ajo me Sony në vitin 2023, përmes së cilës kompania bleu 50% të aseteve të caktuara muzikore dhe të pronësisë intelektuale për 750 milionë dollarë.

Sipas dokumenteve të përmendura në kërkesën gjyqësore, Paris vlerëson se rreth 600 milionë dollarë mund të transferohen në fondin familjar pa rrezikuar detyrimet e tjera të trashëgimisë.

Megjithatë, ajo nuk kërkon që e gjithë shuma të kalojë në llogarinë e saj personale, por në fondin që përfshin të tre fëmijët e Michael Jackson.

Përplasja pritet të shqyrtohet në gjykatë gjatë muajit dhjetor.