Lajme Zone
Përplasje Itali-Spanjë për pezullimin e Schengenit, Meloni nuk tërhiqet: Nuk i nënshtrohemi shantazhit të Sánchez
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Përplasje Itali-Spanjë për pezullimin e Schengenit, Meloni nuk tërhiqet: Nuk i nënshtrohemi shantazhit të Sánchez

Sulmi “i pazakontë” i Madridit befason qeverinë italiane. Meloni: Shantazh që Italia nuk mund ta pranojë. Qeveria e Spanjës tha se do të vendosë kontrolle kufitare për fluturimet dhe anijet nga Italia nga mesnata e së shtunës deri më 7 shtator.

Kundërpërgjigjja e Spanjës ishte marrë në konsideratë, por qëndrimi i qeverisë italiane nuk ndryshon: “Është një shantazh që Italia nuk mund ta pranojë”. Tani në Itali ekziston frika se kundërmasat e paralajmëruara nga Spanja mund t’u krijojnë probleme turistëve italianë, me kontrolle të shtuara në portet dhe aeroportet spanjolle, veçanërisht në ishujt e mbushur me turistë gjatë kësaj periudhe. Qeveria e Spanjës tha se do të vendosë kontrolle kufitare për fluturimet dhe anijet nga Italia nga mesnata e së shtunës deri më 7 shtator. Për këtë arsye, që prej mbrëmjes së djeshme, kontaktet mes kryeministres Giorgia Meloni, zëvendëskryeministrave dhe ministrit të Brendshëm Matteo Piantedosi synojnë gjetjen e një zgjidhjeje që do të reduktonte në minimum pasojat për qytetarët italianë. Megjithatë, Roma nuk tërhiqet nga pika kryesore: deri më 15 gusht Italia nuk do të bëjë asnjë hap pas lidhur me vendimin për pezullimin e Traktatit të Schengenit, të marrë pas dyndjes së emigrantëve në Ceuta. Për Ministrinë e Brendshme italiane, alarmet që vijnë nga Spanja janë konkrete: “Ka elemente objektive shqetësimi”. Këtë e tregojnë raportet e brendshme të inteligjencës italiane, të cilat ngrenë shqetësime për rrezikun e terrorizmit, por edhe informacionet e shërbimeve sekrete spanjolle lidhur me Ceutën: “Zërat për një dyndje të re emigrantësh janë të besueshëm. Ndoshta kjo mund të ndodhë edhe përpara 15 gushtit”. LEXO EDHE:Përplasja Itali-Spanjë/ Kontrollet kufitare prekin 86 mijë udhëtarë në ditë, një nga linjat ajrore më të ngarkuara në Europë Sipas burimeve të Ministrisë së Brendshme italiane, Spanja po angazhon 3 mijë efektivë dhe dy anije përpara enklavës së Ceutës. Në mbështetje të argumenteve të Romës vjen edhe një lajm i publikuar nga gazeta La Verità: “Në pesë aeroporte, Linate, Malpensa, Bologna, Torino dhe Orio al Serio, kontrollet ndaj personave që mbërrinin nga Spanja çuan në identifikimin e 15 personave që nuk kishin të drejtë të hynin në territorin italian”. Megjithatë, nuk dihet nëse këta persona kishin kaluar më parë nga Ceuta. Kështu, përplasja mes dy vendeve rikthehet. Roma niset nga një argument: “Nuk ka asnjë proporcionalitet, sepse ne i kishim kufizuar kontrollet vetëm për qytetarët që vijnë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, ndërsa ata e kanë ngritur nivelin e përplasjes”. Referenca është për njoftimin e qeverisë spanjolle, i cili mbërriti në telefonat e kryeministres Meloni dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë përpara mesditës. Për shkak të toneve të përdorura, në Romë dokumenti konsiderohet “i pazakontë” nga pikëpamja diplomatike. Askush në Palazzo Chigi nuk priste që situata të arrinte deri te “kërcënimet”. Madje, nuk kishte pasur asnjë sinjal në këtë drejtim, madje as ndonjë paralajmërim informal. Përkundrazi, prej ditësh Ministria e Jashtme italiane po punonte në heshtje për të shkurtuar periudhën e pezullimit të Schengenit, me synimin që masa të përfnte rreth 15 gushtit, përveç rastit kur në Ceuta do të regjistroheshin valë të reja emigrantësh. Deklaratat e qeverisë spanjolle, megjithatë, i kanë tensionuar negociatat dhe, në të njëjtën kohë, i kanë ngrirë ato. “Duhet të reagojmë menjëherë”, ishte qëndrimi i kryeministres Meloni, i ndarë gjatë një serie bisedash telefonike dypalëshe me ministrin e Jashtëm Antonio Tajani dhe ministrin e Brendshëm Matteo Piantedosi, e më pas edhe me zëvendëskryeministrin tjetër, Matteo Salvini. Pikërisht në këtë mënyrë lindi edhe kundërpërgjigjja e fortë e Romës ndaj Madridit. Kryeministrja italiane e konsideron lëvizjen e Pedro Sánchez si një “shenjë vështirësie” për kryeministrin dhe liderin socialist spanjoll. Nga njëra anë, sipas Romës, Sánchez është i izoluar në Evropë për çështjen e emigracionit, ndërsa nga ana tjetër po përballet me sulme politike brenda vendit. “Mjafton të lexosh gazetat spanjolle”, theksojnë burime pranë qeverisë italiane. Kështu, edhe një herë tjetër, përplasja mes dy rivalëve të mëdhenj politikë në Evropë, socialistit Sánchez dhe konservatores Meloni, zhvillohet në dukje në frontin e politikës së jashtme, edhe pse mekanizmat që e ushqejnë atë lidhen kryesisht me zhvillimet e brendshme politike. Këtë e thotë hapur edhe ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi. “Në këtë moment janë të paktën dhjetë vende në Evropë që e zbatojnë vazhdimisht këtë masë: Gjermania, Franca ndaj nesh në kufirin e Ventimiglias dhe po e zbatojmë edhe ne në kufirin me Slloveninë, me rezultate pozitive. Të gjithë mund ta bëjnë këtë, por nuk mund të preket një qeveri e drejtuar nga socialistët. Dua të theksoj se një kriter i tillë përzgjedhjeje nuk parashikohet në traktate”, është qëndrimi i Piantedosit. Pas shkëmbimit të akuzave mes Romës dhe Madridit, brenda qeverisë italiane ngrihet tashmë një pyetje: mbi çfarë baze do të mbështeten “masat proporcionale” që Sánchez ka vendosur të marrë pas refuzimit të Melonit për t'u tërhequr? Sipas Madridit, Italia është shteti anëtar i Bashkimit Evropian “me numrin më të madh të kalimeve të parregullta të kufirit të regjistruara gjatë viteve të fundit, me shifra që që prej vitit 2022 kanë arritur deri në dyfishin e atyre të regjistruara në Spanjë”./Corriere Della Sera SI.E./Shqiptarja.com TAG: Ceuta emigrante itali spanje giorgia meloni Pedro Sánchez Komente Komento Sondazhi i ditës:

5 Gusht, 13:27

GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord? Po 34.2% Jo 60.9% Nuk e di 4.9% Vota total: 3033 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 5 Gusht, 13:27 GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord?