Gjykata Kushtetuese i bën edhe një herë thirrje Kuvendit që të zgjidhë sa më parë çështjen e përcaktimit të pagave referencë për sistemin e drejtësisë, si zbatim i vendimit të saj në shkurt 2026. Përmes një reagimi lidhur me përplasjen prej më shumë se një javë pasi bllokimit të pagave në prokurori e gjykata, Kushtetuesja thotë se vendimi i saj i arsyetuar e ka shumë të qartë qëndrimin e gjykatës dhe institucionet duhet të zbatohen në tërësinë e tyre. “Në lidhje me diskutimet publike për çështjen e pagave të magjistratëve, Gjykata Kushtetuese vlerëson të nevojshme të sqarojë se për këtë çështje është shprehur tashmë me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026. Përmes këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar standardin kushtetues të zbatueshëm, duke evidentuar njëkohësisht detyrimet që burojnë prej tij për autoritetet përgjegjëse. Arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit përbëjnë qëndrimin zyrtar të Gjykatës për çështjen e shqyrtuar dhe, për rrjedhojë ato duhet të lexohen e të zbatohen në tërësinë e tyre, në përputhje me parimet kushtetuese të përcaktuara në të. Gjykata rithekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Respektimi dhe zbatimi i tyre përbën një kërkesë të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe është i lidhur ngushtësisht me parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike", thuhet në reagimin e Gjykatës Kushtetuese. LEXO EDHE:Ylli Manjani: Kryeministrit nuk i mjaftojnë më konstatimet, duhen zgjidhje Në fund kushtetuesja i jep një përgjigje edhe faktit se vetë ajo çoi në thesar listpagesat me llogaritjen e vjetër, që u komentua gjerësisht, edhe nga vetë Kryeministri Edi Rama që e cilësoi këtë një tregues se edhe “vetë Gjykata Kushtetuese pret parlamentin të ekzekutojë vendimin e saj për pagat e gjyqësorit dhe nuk kuturiset të hapë vetë derën e thesarit të shtetit”. Por gjyqtarët kushtetues thonë se përllogaritja që ata kanë bërë për muajin gusht ishte vetëm në varësi të buxhetit që ajo ka në dispozicion dhe nuk mund të interpretohet si vënie në dyshim e efekteve juridike të vendimit të vetë saj në shkurt 2026 dhe as për detyrimet që ky vendim sjell për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij, Kuvendin dhe qeverinë. Me fjalë të thjeshtë Kushtetuesja thotë se gjykatat dhe prokuroritë që kanë fonde, mund të vazhdojnë me pagat e reja. "Në këtë kuptim, Gjykata sqaron se mënyra e përllogaritjes dhe e ekzekutimit të pagave në administrimin e brendshëm të saj, në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion, nuk mund të interpretohet si përcaktuese për efektet juridike të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 dhe as për detyrimet që ky vendim sjell për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij”, vijon reagimi. Konflikti mes magjistratëve dhe qeverisjes qendrore nisi pasi Kuvendi i Shqipërisë nuk zbatoi brenda afatit një vendim të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit deri më 31 korrik duhej të miratohej formula e re e pagave të tyre. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP thanë se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese. SI.E./E.H/Shqiptarja.com TAG: pagat e drejtesise gjykata kushtetuese edi rama Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 3.0 / 5 (2 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
7 Shtator, 07:56
Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 81.3% Magjistratëve 13.8% Nuk e di 4.8% Vota total: 702 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56 Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?

