Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me konfliktin e filmuar në rrugët e Durrësit, video e cila u publikua nga ish-deputeti Myslim Murrizi. Sipas informacioneve, personi që shfaqet në video duke goditur me shuplakë drejtuesin e motorit është Arjan Xheka, pronar i ish-hotelit “Mira Mare”, një prej hoteleve që u shemb në tërmetin e 26 nëntorit 2019 në Durrës.
Përplasja mes dy personave nuk ka çuar në nisjen e një procedimi penal. Personi që u godit, i cili sipas Murrizit është Elton Shahini, shef i Komisariatit të Krujës dhe ish-shef i Komisariatit Nr.1 në Tiranë, nuk ka bërë denoncim në polici dhe, për këtë arsye, nuk është regjistruar një procedim lidhur me ngjarjen.
Sipas të dhënave, konflikti është konsideruar si një përplasje banale mes dy personave dhe më pas është mbyllur mes palëve.
Videoja e publikuar nga Myslim Murrizi shkaktoi reagime, ndërsa ish-deputeti ngriti pikëpyetje mbi identitetin e personave të përfshirë dhe pretendoi se bëhej fjalë për drejtues të strukturave të Policisë dhe SHISH. Top Channel

