Një përplasje mes dy mjeteve lundruese Jet Ski ka ndodhur rreth orës 18:15 në liqenin e Kukësit, ku për pasojë kanë mbetur të dëmtuar lehtë dy persona. Sipas Policisë, mjeti lundrues i drejtuar nga 29-vjeçari E. T., ku ndodhej edhe 46-vjeçari E. P., është përplasur me një tjetër Jet Ski që drejtohej nga shtetasi B. H., i cili po manovronte për të dalë në breg dhe për të ankoruar mjetin.
Si pasojë e përplasjes, E. T. dhe E. P. kanë marrë dëmtime të lehta trupore dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në spitalin e Prizrenit. Sipas autoriteteve shëndetësore, dy personat ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm.
Pas ngjarjes, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 29-vjeçarit E. T., për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”. Të dyja mjetet lundruese janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

