Pamjet e publikuara së fundmi tregojnë momentet e para të konfliktit të ndodhur mbrëmjen e 16 shtatorit në Sarandë, ku tre të rinj mbetën të plagosur.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 21:55, në një subjekt tregtar në lagjen nr. 1, pranë hyrjes së shëtitores. Sipas raportimeve, në konflikt u përfshinë disa të rinj dhe përplasja përshkallëzoi, duke lënë të plagosur vëllezërit Elidon Shukulli, 24-vjeç, Mario Shukulli, 20-vjeç, si dhe 19-vjeçarin Andi Saliaj.
Të tre u dërguan në Spitalin e Sarandës, ndërsa Elidon Shukulli u nis drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Pamjet janë publikuar nga avokati Arben Llangozi, i cili thotë se ato tregojnë nisjen e përplasjes dhe momentet kur debati mes të rinjve kalon në konflikt fizik. Përshkrimi i tij për dinamikën e fillimit të sherrit përkon me atë që duket në video.
Sipas të dhënave të publikuara për ngjarjen, policia ka arrestuar Kamelo Aliajn, 22-vjeç, dhe Andi Saliajn, 19-vjeç, ndërsa Eduard Bajrami, 19-vjeç, është shpallur në kërkim. Ndaj tyre janë referuar veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Nga të dhënat paraprake, konflikti dyshohet se ka nisur për motive të dobëta, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë dhe përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.
Ndërkohë, pamjet e publikuara nga avokati janë vetëm pjesa e parë e konfliktit. Në një video të dytë, përplasja zhvendoset brenda ambientit të lokalit dhe situata përshkallëzon më tej.
Një debat mes të rinjsh, që në pak çaste kthehet në dhunë dhe përfn me tre persona të plagosur, tregon edhe një herë se sa shpejt mund të dalë një konflikt jashtë kontrollit. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

