Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

Përgjimet e Ahmetajt për pazaret e armëve / Lala: SPAK duhet të hetojë! Ron Yeffet e konsideronte veten ministër të Mbrojtjes


Publikimi i audiopërgjimeve të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj përbën një “bombë” me efekt mbi kupolën e qeverisë.

Publikimi i audiopërgjimeve të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj përbën një “bombë” me efekt mbi kupolën e qeverisë. E ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, gazetarja Klodiana Lala ngriti dyshime të forta se pas regjistrimeve qëndrojnë shërbime inteligjente të vendeve partnere evropiane, ndërsa i kërkoi drejtësisë të hetosh me urgjencë trafikimin e armatimeve dhe keqpërdorimin e institucioneve shtetërore. Sipas gazetares, regjistrimet përmbajnë orë të tëra përgjimesh që zbardhin prapaskenat e veprimtarisë së izraelitit Roni Yeffet, i njohur si mik personal i kryeministrit Edi Rama. Materialet dokumentojnë se si territori shqiptar përdorej për paketim dhe tranzit armatimesh nga jashtë, duke krijuar përshtypjen se “Shqipëria kishte dalë në shitje”. Lala nëvizoi se ndikimi i Yeffet në strukturat shtetërore ishte aq i madh, sa ai sillej si “ministër mbrojtjeje”. Në qendër të kësaj veprimtarie qëndron bashkëpunimi mes kompanisë shtetërore të prodhimit të armatimit “KAYO” dhe subjektit privat “Timak Defense”.

Kompania shtetërore “KAYO” dyshohet se u vu në shërbim të interesave private dhe biznesit të armëve, duke lehtësuar operacionet e logjistikës ushtarake për llogari të të tretëve.

Gazetarja theksoi se ka ardhur koha që SPAK të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të hetojë këto audiopërgjime, pasi provat nxjerrin në dritë një tjetër skandal të rëndë të nivelit më të lartë shtetëror.

“Audiopërgjimet e Ahmetajt ishin një bombë. Mendoj se pas tyre janë shërbime të fuqishme të vendeve partnere evropiane. Flitet për kontakte në paradhomën e kryeministrit, që Shqipëria kishte dalë në shitje dhe se vendi po përdorej për paketim të armatimeve nga jashtë. Mendoj se ka ardhur koha që institucionet e drejtësisë të ngrihen në lartësinë e duhur dhe të hetojnë audiopërgjimet. Në atë që është diskutuar pas publikimeve rezulton se bëhet fjalë për orë të tëra të përgjimeve të izraelitit Ron Yeffet, mikut personal të kryeministrit. Është kompania Timak Defense, KAYO kompania shtetërore. Ron Yeffet shkonte deri aty sa e konsideronte veten ministër të mbrojtjes”, u shpreh Lala mes të tjerash. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb