Lajme Zone
Përgjaken rrugët në vend, një viktimë dhe nëntë të plagosur në gjashtë aksidente brenda 12 orësh
SportTop Channel

Përgjaken rrugët në vend, një viktimë dhe nëntë të plagosur në gjashtë aksidente brenda 12 orësh

Gjashtë aksidente janë shënuar këtë të hënë të gushtit, me pasojë 9 të plagosur dhe një viktimë.

Gjashtë aksidente janë shënuar këtë të hënë të gushtit, me pasojë 9 të plagosur dhe një viktimë. Në mesditë, një aksident i rëndë u shënua në aksin rrugor Fier–Lushnjë, pranë fshatit Vajkan, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe kanë përfunduar në kanalin anësor të autostradës.

Përplasja e fortë ka shkaktuar plagosjen e katër personave, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit.

Pak minuta më pas, një tjetër aksident zinxhir u regjistrua në autostradën Durrës–Tiranë, pak para Sukthit, në drejtim të Tiranës.

Shtatë automjete u përfshinë në aksident, por, për fat të mirë, u shënuan vetëm dëme materiale, duke shkaktuar gjithashtu radhë të gjata automjetesh.

Ndërkohë, një tjetër aksident u shënua rreth orës 13:30 në hyrje të fshatit Stan-Karbunarë, në aksin e vjetër rrugor nacional Lushnjë–Berat.

Automjeti me të cilin udhëtonte një 28-vjeçare është përplasur me barrierat anësore të një ure dhe, pas disa rrotullimeve, ka përfunduar i kthyer në njërën anë, në mes të rrugës.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesja e mjetit është transportuar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës për ndihmë mjekësore.

Në lagjen Sheq i Madh, në Fier, një tjetër aksident la të plagosur drejtuesin e një motomjeti, i cili u përplas me një automjet.

Në orët e mbrëmjes, një 20-vjeçar, Antonio Mateli, ka gjetur vdekjen pasi mjeti me të cilin udhëtonte si pasagjer ka dalë nga rruga dhe është aksidentuar.

“Rreth orës 18:10, në rrugën e Plazhit, në zonën e Lagunës, Ksamil, një automjet tip ‘Benz’, me drejtues shtetasin A. Gj., rreth 22 vjeç, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje pasagjeri i automjetit, shtetasi A. M., rreth 20 vjeç. Drejtuesi i automjetit është transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe, sipas informacionit paraprak, ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.

Ndërkohë, pak pas orës 19:30, tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur pas aksidentit të ndodhur në aksin nacional Elbasan–Cërrik, ku një automjet dhe një furgon janë përplasur me njëri-tjetrin. Top Channel