Një sipërfaqe me ullinj është përfshirë nga flakët në fshatin Trevllazër, në Njësinë Administrative Novoselë. Zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për izolimin e flakëve dhe shuarjen e vatrave. Situata vështirësohet nga era e fortë, e cila favorizon përhapjen e zjarrit në ullishte. Flakët kanë përfshirë disa ullinj, ndërsa Trevllazëri, i njohur për ullinjtë shekullorë, është përballur edhe më herët me zjarre në sipërfaqet me ullishte. Forcat zjarrfikëse vijojnë betejën me flakët, me qëllim neutralizimin e plotë të zjarrit.
