Një zjarr ka rënë mesditën e së dielës në vendin e quajtur “Poligoni”, mbi repartin ushtarak në Gërhot, duke përfshirë një park bletësh. Sipas Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Gjirokastër, njoftimi për ngjarjen është marrë rreth orës 12:50, ndërsa forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë për të vënë flakët nën kontroll.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, zjarri u shua dhe situata u neutralizua, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Si pasojë e zjarrit u dogj një kasolle që përdorej për ruajtjen e materialeve të bletarisë.
Pavarësisht dëmeve materiale, të gjitha kosheret e bletëve u shpëtuan dhe nuk pësuan dëmtime. Dyshimet e para janë se zjarri është shkaktuar nga pakujdesia gjatë përdorimit të tymit për kontrollin e bletëve, ndërsa autoritetet po hetojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.

