Një zjarr i madh ka përfshirë në orët e para të së shtunës hotelin Grand Burstin, në Marine Parade, në qytetin bregdetar të Folkestone, në Kent të Britanisë së Madhe. Shërbimet e emergjencës u njoftuan rreth orës 01:20, ndërsa në kulmin e operacionit në vendngjarje u angazhuan 26 mjete zjarrfikëse. Rreth 280 persona u evakuuan nga hoteli dhe u dërguan në një qendër të posaçme pritjeje të organizuar nga këshilli lokal. Autoritetet britanike konfirmuan se nuk ka raportime për persona të lënduar. Zjarri besohet se ka nisur në bodrumin e hotelit dhe u vu nën kontroll rreth orës 08:30, ndërsa disa ekipe zjarrfikëse vijuan punën gjatë ditës për shuarjen e plotë të vatrave të mbetura.
Pas hetimeve paraprake, Policia e Kentit ka deklaruar se zjarri po trajtohet si i dyshimtë dhe se ekziston dyshimi se mund të jetë shkaktuar qëllimisht.
“Hetimet për rrethanat janë duke u zhvilluar dhe oficerët tani besojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht”, deklaroi Policia e Kentit. Autoritetet po kërkojnë dëshmitarë, si edhe pamje nga kamerat e sigurisë dhe kamerat e automjeteve. Policia u ka bërë thirrje personave që kanë qenë në zonë nga ora 22:00 e së premtes deri në orën 00:30 të së shtunës që të dorëzojnë çdo informacion ose pamje që mund të ndihmojë hetimin.
Hoteli Grand Burstin, i operuar nga Britannia Hotels, ka rreth 550 dhoma dhe ndodhet pranë portit të Folkestone. Sipas Sky News, zjarri shkaktoi një operacion të gjerë emergjence dhe ekipet zjarrfikëse qëndruan në vendngjarje edhe disa orë pasi flakët u vunë nën kontroll. Top Channel

