Begoña Gómez, bashkëshortja e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, do të përballet me gjyqin pas vendimit të gjyqtarit hetues Juan Carlos Peinado. Në të njëjtën çështje është dërguar për gjykim edhe Cristina Álvarez, bashkëpunëtore e Gómez.
Vendimi i gjyqtarit u mor të hënën, pas një vendimi të Gjykatës Provinciale të Madridit në korrik, i cili i hapi rrugë vijimit të procedurave gjyqësore.
Çështja lidhet me dyshimet se Gómez mund të ketë përdorur lidhjen e saj me kryeministrin Sánchez për të favorizuar aktivitetin e saj profesional dhe për të marrë pjesë në drejtimin e një programi në Universitetin Complutense të Madridit.
Në kuadër të hetimit po shqyrtohet gjithashtu nëse ajo ka përdorur burime publike dhe staf të administratës qeveritare për interesa private.
Begoña Gómez i mohon akuzat dhe çdo shkelje të ligjit.
Çështja gjyqësore ndaj bashkëshortes së kryeministrit vjen në një periudhë të ndjeshme politike për Pedro Sánchez dhe Partinë Socialiste Spanjolle.
Në muajt e fundit, edhe persona të tjerë të lidhur me socialistët janë përfshirë në hetime dhe procese të ndryshme.
Ish-kryeministri José Luis Rodríguez Zapatero është thirrur për t’iu përgjigjur pyetjeve lidhur me një ndihmë shtetërore prej 53 milionë eurosh gjatë periudhës së pandemisë.
Ndërkohë, ish-zyrtari i lartë i Partisë Socialiste, Santos Cerdán, është hetuar në lidhje me dyshime për përfitime të paligjshme që lidhen me kontrata publike dhe me ish-ministrin José Luis Ábalos.
Të dy i kanë mohuar akuzat për shkelje të ligjit.
Çështja e Begoña Gómez do të kalojë tashmë në fazën e gjykimit, ndërsa gjykata përkatëse do të përcaktojë datën e seancave.
Prokuroria spanjolle, e cila vlerëson se provat e mbledhura nuk tregojnë kryerjen e një vepre penale, ka kërkuar që Gómez të lirohet nga akuzat. Të njëjtin qëndrim mban edhe mbrojtja e saj.
Në anën tjetër, organizata konservatore katolike Hazte Oír, e cila merr pjesë në proces si akuzuese private, kërkon një dënim prej 13 vitesh burgim për Gómez.
Avokati i saj, Jaime Campaner, ka kundërshtuar akuzat e paraqitura nga organizata, duke argumentuar se aktakuza përmban “mangësi serioze teknike” dhe se ato nuk mund të korrigjohen në këtë fazë të procedurës.
Për këtë arsye, mbrojtja ka kërkuar që çështja të arkivohet.
Gjykata do të vendosë tashmë mbi vijimin e procesit dhe përgjegjësinë eventuale të të pandehurave, ndërsa akuzat ndaj tyre nuk përbëjnë një vendim përfundimtar fajësie. Top Channel

