Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

“Për të çuar të korruptuarit para drejtësisë…”/ Aktivisti, Andi Tepelena: Rama po godet klasën e mesme, nuk ka dialog kur policia dhunon qytetarët


Aktivisti Andi Tepelena, në një intervistë për News24, foli për protestën e studentëve, lëvizjen e nisur me protestat e flamingove dhe reagimin e qeverisë ndaj revoltës qytetare.

Aktivisti Andi Tepelena, në një intervistë për News24, foli për protestën e studentëve, lëvizjen e nisur me protestat e flamingove dhe reagimin e qeverisë ndaj revoltës qytetare. Ai e cilësoi këtë lëvizje si një shprehje të pakënaqësisë ndaj keqqeverisjes dhe korrupsionit, duke theksuar se studentët po vijojnë një protestë që ka krijuar përvojën e saj ndër muaj. Sipas Tepelenës, protesta e nisur për një çështje mjedisore mori përmasa kombëtare, ndërsa në fazën e tanishme stafetën e kanë marrë të rinjtë dhe studentët, të cilët janë angazhuar edhe në organizimin e saj. Ai vlerësoi bashkëpunimin mes dy lëvizjeve, duke nënvizuar se protesta studentore nuk lindi nga hiçi, por u mbështet edhe në përvojën e krijuar gjatë protestave të mëparshme. Duke komentuar krahasimet me Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990, Tepelena u shpreh se bëhet fjalë për dy kontekste historike të ndryshme. Sipas tij, në vitin 1990 kërkohej kalimi nga regjimi komunist në një sistem demokratik, ndërsa sot protestuesit përballen me atë që ai e cilësoi si korrupsion endemik, keqqeverisje dhe ndikim të krimit të organizuar në institucione dhe procese zgjedhore. Aktivisti kritikoi edhe thirrjet e kryeministrit Edi Rama për dialog me studentët, duke argumentuar se s’mund të ketë dialog kur protestuesit përballen me dhunën e policisë.

“Natyrisht, protesta është ndërthurur me lëvizjen studentore. Ajo nisi për një çështje mjedisore, por më pas mori përmasat kombëtare që mori, sepse u shpreh e gjithë revolta e shqiptarëve për keqqeverisjen dhe korrupsionin e qeverisë Rama. Protesta vazhdon dhe format e saj janë bërë më të larmishme gjatë këtyre katër muajve. Fillimisht kishte një ritual të përnatshëm, me fjalime, marshime e të tjera. Tani protesta është pasuruar dhe stafetën e kanë marrë të rinjtë, studentët. Kjo mund të jetë faza e dytë e protestës së flamingove, në vazhdimësi të saj, edhe pse ekziston një urë bashkëpunimi dhe komunikimi mes studentëve. Kemi një dhunues dhe, nga ana tjetër, protestues që po kërkojnë një të drejtë legjitime, të shprehur edhe përmes pesë kërkesave të famshme, ku kërkohet qeveri teknike, një periudhë tranzitore dhe realizimi i zgjedhjeve të ndershme e të barabarta në këtë vend.

Këtu do të duheshin pesë SPAK për t’i çuar në bankën e drejtësisë të gjithë të korruptuarit e qeverisë.

Së pari, teknikisht, ulja e TVSH-së nuk do të thotë që çmimet ulen automatikisht, sepse gjithçka bazohet te kërkesa dhe oferta. Edhe nëse ulet TVSH-ja, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se çmimet do të bien. Duhet parë edhe një aspekt tjetër: këtu kemi një problem strukturor të ekonomisë. Nëse flasim për produktet e shportës, fshatari që i mbjell në fusha i shet me çmim të ulët, ndërkohë që zinxhiri i shpërndarjes e rrit çmimin deri në dhjetëfish dhe nuk ka kontroll të mjaftueshëm deri te konsumatori.

Nga ana tjetër, këto janë masa që, sipas meje, synojnë të ndërhyjnë në një moment krize politike dhe institucionale, kur kryeministri është vërtet i shqetësuar për të zbutur zemërimin e qytetarëve. Mendoj se këto masa nuk do të kenë efektin e pretenduar në uljen e çmimeve, sepse kemi euron që po pëson një rënie dramatike, ndërsa çmimet mbeten shumë të larta. Sipas meje, paratë e pista që futen në treg po i rrisin çmimet në mënyrë artificiale, veçanërisht ato të banesave.

Nga ana tjetër, shohim vazhdimisht një luftë ndaj klasës së mesme. Nëse Rama ka ardhur me premtimin për ta forcuar atë, në praktikë po ndodh e kundërta. Goditet gjithmonë shtresa e mesme dhe revolta e protestës së flamingove lindi pikërisht nga kjo shtresë. Në shesh kanë qenë profesionistë të lirë, njerëz të punësuar dhe njerëz të punës. Goditet pikërisht kjo klasë e mesme, e cila është shtylla e ekonomisë shqiptare dhe krijon pavarësi nga pushteti”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: andi tepelena