Lajme Zone
“Për pak sa s’na përplasi, po bënte gara”, pamjet e Benzit një orë para aksidentit fatal
SportJOQ Albania

“Për pak sa s’na përplasi, po bënte gara”, pamjet e Benzit një orë para aksidentit fatal

Një video e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania mund të hedhë dritë mbi sjelljen në rrugë të drejtuesit të një prej automjeteve të përfshira në aksidentin tragjik ku humbi jetën gazetari 26-vjeçar, Xhesjon Zogu.

Një video e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania mund të hedhë dritë mbi sjelljen në rrugë të drejtuesit të një prej automjeteve të përfshira në aksidentin tragjik ku humbi jetën gazetari 26-vjeçar, Xhesjon Zogu.

Pamjet janë filmuar rreth orës 08:26 të mëngjesit të 2 shtatorit, ndërsa aksidenti fatal pranë Urës së Gjolës në aksin Vorë–Fushë-Krujë është regjistruar rreth orës 09:40, pra afërsisht një orë më vonë.

Në video shfaqet një automjet tip “Mercedes-Benz” i bardhë me targa AB 102 PH, i cili sipas qytetarit që i ka dërguar pamjet në redaksinë tonë kryen disa manovra të rrezikshme në rrugë, ndërsa dyshohet se po zhvillonte një lloj gare me një “Audi” të zi.

Denoncuesi thotë se ishte pikërisht ky automjet që, pak para se të filmonte pamjet, për pak sa nuk e kishte aksidentuar.

“Para se të ndodhte aksidenti fatal, desh u aksidentuam ne nga ai Benzi i bardhë. Duke qenë të rrezikuar, i bëra një video që bën manovra dhe gara në Unazë të Tiranës me një Audi të zi”, shprehet qytetari.

JOQ Albania ka konfirmuar se automjeti që shfaqet në video është i njëjti Mercedes-Benz i përfshirë më pas në aksidentin fatal pranë Urës së Gjolës.

Në aksidentin e rreth një orë më vonë, Mercedes-Benz-i u përplas me “Land Rover”-in që drejtohej nga gazetari Xhesjon Zogu. 26-vjeçari humbi jetën gjatë transportimit drejt Spitalit të Traumës, ndërsa drejtuesi i Benzit, Behar Ruçi, mbeti i plagosur rëndë.

Paraprakisht dyshohet se përplasja ka ardhur si pasojë e një parakalimi të gabuar nga drejtuesi i Benzit.

Videoja e siguruar nga JOQ Albania nuk provon se manovrat e kryera në Unazën e Tiranës kanë lidhje të drejtpërdrejtë me aksidentin e ndodhur më pas. Megjithatë, fakti që i njëjti automjet është filmuar rreth një orë përpara ngjarjes duke kryer manovra që dëshmitari i konsideron të rrezikshme, është një element që mund t'u shërbejë autoriteteve në zbardhjen e plotë të rrethanave.

Ndërsa një familje sot përballet me humbjen e 26-vjeçarit Xhesjon Zogu, mbetet detyrë e autoriteteve të përcaktojnë me saktësi se çfarë ndodhi në ato pak sekonda që sollën përplasjen tragjike. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)