Parakalime të rrezikshme dhe manovra që mund të përfjnë në tragjedi. Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast të rrezikimit të jetës së drejtuesve të mjeteve në aksin rrugor Elbasan-Peqin.
Sipas denoncuesit, ai po udhëtonte me furgon kur një automjet e parakaloi dhe ai i hapi rrugën për të lehtësuar kalimin. Por, në vend që të vazhdonte udhëtimin normalisht, drejtuesi i automjetit ka kryer një tjetër manovër të rrezikshme, duke parakaluar edhe një kamion në kthesë.
Qytetari pretendon se gjatë kësaj manovre është shkelur vija e pandërprerë, ndërsa në korsinë e kundërt po vinin mjete të tjera. Një veprim i tillë, nëse konfirmohet, mund të kishte pasoja të rënda për të gjithë personat që ndodheshin në rrugë.
“Për pak sa nuk na morën në qafë me parakalimet që bëjnë në aksin Elbasan-Peqin. Pasi më parakaloi mua, që isha me furgon dhe i hapa rrugën, parakaloi sërish një kamion në kthesë, duke shkelur vijën e pandërprerë dhe duke rrezikuar jetën e personave që po vinin nga korsia tjetër”, shkruan qytetari në mesazhin e dërguar në redaksi.
Raste të tilla ngrenë shqetësimin për sigurinë rrugore dhe papërgjegjshmërinë e disa drejtuesve të mjeteve, të cilët duket se e trajtojnë rrugën si pistë gare, pa menduar se një parakalim i gabuar mund t'u kushtojë jetën jo vetëm atyre, por edhe njerëzve që nuk kanë asnjë faj.
Në fund të fundit, disa sekonda të fituara në rrugë nuk vlejnë sa një jetë njerëzore. Një kthesë e vetme dhe një vendim i nxituar mund të kthehen në një tragjedi që prek dhjetëra familje.

