Lajme Zone
“Për 3 muaj i janë zbuluar 2 vila në këmbim të tenderave”, Bardhi i drejtohet SPAK-ut: Kërkoni sërish heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut
PolitikëTop Channel

“Për 3 muaj i janë zbuluar 2 vila në këmbim të tenderave”, Bardhi i drejtohet SPAK-ut: Kërkoni sërish heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë takimit të sotëm të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, u ndal te SPAK dhe çështja e Belinda Ballukut.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë takimit të sotëm të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, u ndal te SPAK dhe çështja e Belinda Ballukut. Bardhi kritikoi vonesën dhe rrëzimin nga shumica parlamentare të kërkesës së SPAK për autorizimin e masës së sigurimit ndaj Ballukut, duke e cilësuar këtë rast si një provë të rëndësishme për zbatimin e reformës në drejtësi dhe barazinë përpara ligjit.

Bardhi deklaroi se SPAK-u gëzon besim te qytetarët dhe ka shënuar rezultate në luftën kundër korrupsionit, por sipas tij efektiviteti i institucionit vihet në pikëpyetje kur hetimet për zyrtarë të lartë përballen me pengesa politike.

“Një tender publik, në këmbim të një vile super luksoze në një nga plazhet më të bukura në jug të vendit. Vetëm në harkun kohorë të 3 muajve, janë zbuluar 2 vila në plazhet më të bukura të Shqipërisë, në këmbim të paracaktimit të fituesit për dy tendera publik të zhvilluar prej saj.

Mirëpo, për shkak të përplasjes me Kuvendin në Mars të këtij viti, SPAK ende nuk ka riparaqitur një kërkesë të re për heqjen e imunitetit të saj, edhe pse ndaj saj rëndojnë sot akuza shumë të rënda dhe konkretisht: 2 akuza për korrupsion, 2 akuza për pastrim parash në bashkëpunim, 2 akuza për fshehje pasurie, dhe 8 akuza për shkelje të barazisë në tendera”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, çështja e Ballukut lidhet drejtpërdrejt me pyetjen nëse institucionet e drejtësisë mund të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe nëse imuniteti parlamentar po përdoret për mbrojtjen e funksionimit të Kuvendit apo për të penguar procedurat penale ndaj zyrtarëve.

Ai kërkoi gjithashtu që për çdo ndryshim të kuadrit ligjor që prek imunitetin e zyrtarëve të lartë të merret një opinion nga Komisioni i Venecias.

“Një nga problemet më madhore me të cilin Shqipëria duhet të merret seriozisht, është korrupsioni dhe mënyra se si pushteti politik përdor institucionet dhe paratë publike. Të gjithë duhet të bëjmë një pyetje: A është qytetari shqiptar realisht i mbrojtur nga abuzimi i pushtetit? Përgjigjia është Jo. Dhe jo e fortë vjen sepse në mënyrë tmerresisht të gabuar Parlamenti ynë, ka dhënë mesazhin se nuk e lufton korrupsionin, por e mbron. Nuk mban përgjegjës ato që abuzojnë me pushtetin, por tenton ti ndihmojë ti ikin përgjegjësisë.

Dhe këtu dua të ndalem vetëm tek një rast domethënës: tek rasti i Belinda Ballukut, ish- zëvendëskryeministres së Shqipërisë, sot deputete e mazhorancës. Ishte Kuvendi që jo vetëm nuk e mbajti përgjegjëse, por i ofroi mbrojtje politike nga arrestimi, duke mos i hequr imunitetin sic SPAK kërkoi, me argumentin se nuk është e korruptuar, por vetëm ka abuzuar me pushtetin.

Sot SPAK na ka paraqitur një tjetër pasqyrë të rastit të saj. 11 ditë më parë, SPAK njoftoi zyrtarisht se kishte arritur të zbulonte një tjetër rast korrupsioni të Belinda Ballukut. Një tender publik, në këmbim të një vile super luksoze në një nga plazhet më të bukura në jug të vendit. Vetëm në harkun kohorë të 3 muajve, janë zbuluar 2 vila në plazhet më të bukura të Shqipërisë, në këmbim të paracaktimit të fituesit për dy tendera publik të zhvilluar prej saj.

Mirëpo, për shkak të përplasjes me Kuvendin në Mars të këtij viti, SPAK ende nuk ka riparaqitur një kërkesë të re për heqjen e imunitetit të saj, edhe pse ndaj saj rëndojnë sot akuza shumë të rënda dhe konkretisht: 2 akuza për korrupsion, 2 akuza për pastrim parash në bashkëpunim, 2 akuza për fshehje pasurie, dhe 8 akuza për shkelje të barazisë në tendera.

Edhe pse e mbrojtën nga heqja e imunitetit, sot nuk ka asnjë pendesë, asnjë kërkim falje, asnjë distancim. Madje, me firmë të Kryeministrit në Kuvend qëndron ende një projektligj, që forcon imunitetin për Ministrat dhe zyrtarët e lartë publik, dhe i ngushton hapësirat procedurale SPAK për të hetuar në mënyrë të pandikuar.

Dua ta them shumë qartë: nuk është detyra e politikës të shpallë fajtorë njerëzit. Këtë e bën vetëm gjykata.

Por është detyra e parlamentit të kërkojë llogari politike dhe transparencë kur ngrihen dyshime serioze mbi mënyrën se si është ushtruar pushteti. Është detyra e Parlamentit të jap mesazh të qartë se e mbështet luftën ndaj korrupsionit, se nuk mbështet asnjë zyrtar të korruptuar, dhe se nuk ndërhyn në cështje të drejtësisë për të marrë në mbrojtje të korruptuarit.

Si është e mundur që dyshime të tilla të lidhen me një zyrtar kaq të lartë të qeverisë dhe përgjegjësia politike të mbetet gjithmonë një çështje e dorës së dytë? Shumica parlamentare të ndërmarrë veprime aktive për të mbrojtur të korruptuarit dhe të sillet sikur asgjë ska ndodhur.

Një demokraci nuk testohet kur drejtësia heton opozitën. Demokracia testohet kur drejtësia mund të hetojë qeverinë.

Nuk mund të kemi institucione me standarde europiane, por që funksionojnë ndryshe për njerëzit e zakonshëm dhe ndryshe për njerëzit në pushtet. A luftohet korrupsioni pa zbatuar parimin e barazisë përpara ligjit? Unë mendoj që jo. Përkundrazi, korrupsioni forcohet, sic në fakt ka ndodhur gjatë këtyre 10 viteve.

Opozita mund të ndërrojë. Qeveritë mund të ndërrojnë. Partitë mund të fitojnë ose të humbin zgjedhjet. Por institucionet duhet të mbeten.

Dhe standardet duhet të mbeten. Shqipëria nuk ka nevojë për një Europë vetëm si destinacion politik. Ka nevojë për Europën si standard qeverisjeje dhe që luftën ndaj korrupsionit e ka prioritet.

Një shtet ku tenderi publik është transparent, jo i paracaktuar. Ku konflikti i interesit kontrollohet. Ku pasuria e zyrtarëve verifikohet. Ku gazetari mund të hetojë pa frikë. Ku parlamenti kontrollon qeverinë. Dhe ku askush, absolutisht askush, nuk është mbi ligjin. Kjo është Shqipëria europiane që duam”, tha Bardhi. Top Channel