Përballë protestave me molotovë e zjarr, që përfshinë kryeqytetin në fundjavë dhe që do të vijojnë, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike pritet të ulen përballë njëra-tjetrës në tryezën e Reformës Zgjedhore. Pas disa muajsh pushimi, të hënën rimblidhet Komisioni i Posaçëm Parlamentar, i cili duket se do të nisë punën pa dakordësinë e palëve. Burime nga selia blu bënë me dije për Top Channel se agjenda e mbledhjes është imponuar nga socialistët, të cilët synojnë të plotësojnë kuadrin ligjor sa i përket zhvillimit të zgjedhjeve vendore pas miratimit të ndarjes së re territoriale, që ndan vendin në 46 bashki.
Në mbledhjen e së hënës, në rend dite janë parashikuar dy çështje: diskutimi i detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore, në kuadër të procesit të reformës zgjedhore; dhe vijimi i shqyrtimit të detyrave të lëna lidhur me projektligjin “Për financimin e partive politike” dhe çështjeve të mbetura të reformës zgjedhore.
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, ka kërkuar që puna të përqendrohet te zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, dhe që Reforma Zgjedhore të garantojë ndarjen e shtetit nga partia në pushtet.
Sa i përket sistemit të ri zgjedhor, Partia Demokratike është shprehur për lista 100% të hapura, edhe në zgjedhjen e këshillave bashkiakë, ndërsa socialistët janë të hapur që të diskutojnë sistemin, me kushtin që në paketën e ndryshimeve kushtetuese të përfshihet edhe ulja e numrit të deputetëve nga 140 në 101.
Komisioni i Reformës Zgjedhore bashkëdrejtohet nga Oerd Bylykbashi i PD-së dhe Damian Gjiknuri nga radhët e PS, ndërsa mandati i këtij komisioni përfn në fund të muajit nëntor. Top Channel

