Partia Demokratike i është përgjigjur Taulant Ballës, pasi ky i fundit deklaroi se opozita nuk ka bojkotuar asnjë mbledhje të komisionit. Gazment Bardhi, kreu i grupit të PD, shprehet në reagim se përfaqësuesit demokratë kanë qenë të pranishëm në çdo mbledhje të thirrur të Komisionit, ndërsa akuzon mazhorancën se po devijon diskutimet drejt çështjeve nuk lidhen me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
PD thekson se Reforma Zgjedhore duhet të garantojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta, si dhe rikthimin e besimit të publikut te procesi zgjedhor dhe konkurrencën e ndershme politike.
REAGIMI:
Opozita nuk ka bojkotuar asnjëherë Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ky është një fakt publik dhe lehtësisht i verifikueshëm. Nuk ka pasur asnjë mbledhje të thirrur të këtij Komisioni në të cilën përfaqësuesit tanë të mos kenë qenë të pranishëm.
Ajo që po ndodh është një përpjekje e mazhorancës për të devijuar dhe penguar punën e Komisionit, duke e zhvendosur vëmendjen drejt çështjeve dytësore, të cilat nuk lidhen me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias. Ky fokusim në çështje që nuk adresojnë standardet për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta po zvarrit procesin dhe po pengon përmbushjen e detyrimeve që ka Shqipëria për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.
Sa i përket projektligjit për financimin e partive politike, drafti fillestar i hartuar nga Komisioni i Posaçëm i është përcjellë për vlerësim urgjent Zyrës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Ekspertët e këtyre institucioneve kanë përcjellë opinionet dhe rekomandimet e tyre të plota. Qëndrimi i opozitës është i qartë: të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e tyre duhet të reflektohen plotësisht në tekstin e projektligjit. Ky proces nuk mund të konsiderohet i përfunduar dhe projektligji nuk mund të ecë përpara pa adresimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
Opozita do të vijojë të insistojë që Reforma Zgjedhore të përmbushë jo thjesht një detyrim formal apo procedural, por standardet dhe kërkesat e përcaktuara edhe nga Komisioni Europian: rikthimin e besimit të publikut te procesi zgjedhor, garantimin e konkurrencës së ndershme politike dhe mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve.
Reforma Zgjedhore duhet të prodhojë garanci reale për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta, jo të shndërrohet në një proces formal që shmang adresimin e problemeve themelore të demokracisë zgjedhore në Shqipëri. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

