Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

“PD dërgon në Kushtetuese ligjin ratifikues të marrëveshjes me SHBA”, Bardhi: Me urdhër të Ramës, Kuvendi u kthye në noter të qeverisë


Kreu i Grupit i Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka mbajtur një konferencë për mediat, ku foli për procedurat e marrëveshjes me SHBA.

Kreu i Grupit i Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka mbajtur një konferencë për mediat, ku foli për procedurat e marrëveshjes me SHBA. Ai theksoi se e gjithë procedura ishte me një procedurë antikushtetuese. Ndërsa shtoi se opozita kërkoi të drejtën për t’u njohur me të gjitha detajet. “Paralajmëruam se një procedurë e tillë nuk e zgjidhte urgjencën, por vetëm sa do ta zgjaste sepse do ta bënte të pashmangshëm kontrollin e saj. Kërkuam të respektohen afatet”, tha ai. Gjithashtu nënvizoi se me urdhër të Edi Ramës Kuvendi u kthye në noter të qeverisë.

DEKLARATË E KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI Gjatë seancës plenare të ditës së hënë, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, paralajmërova zyrtarisht se procedura e ndjekur nga shumica për miratimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë eurosh ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e pajisjeve ushtarake ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Paralajmërova gjithashtu se, nëse mazhoranca do të këmbëngulte në këtë rrugë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do t’ia nënshtronte atë kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.

Ky paralajmërim nuk ishte për të bërë politikë. Ishte një paralajmërim real dhe i sinqertë. Ai ishte përpjekja e fundit për të ndaluar shumicën parlamentare që të mos përfshinte edhe marrëdhënien më të rëndësishme strategjike të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në një procedurë antikushtetuese.

Opozita kërkoi gjatë gjithë seancës respektimin e afateve kushtetuese, të drejtës së deputetëve për t’u njohur me aktin që votonin dhe të standardeve që vetë Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar vetëm pak muaj më parë në vendimin e saj për procedurat parlamentare dhe Rregulloren e Kuvendit. Paralajmëruam se një procedurë e tillë nuk e zgjidhte urgjencën që pretendonte qeveria, por vetëm sa do ta zgjaste atë, sepse do ta bënte të pashmangshëm kontrollin kushtetues të saj.

Edhe përpara seancës, në komunikime institucionale me Kryetarin e Kuvendit, kërkuam që kjo rrugë të mos ndiqej. Kërkuam të respektoheshin afatet, të mos mohoheshin disa të drejta kushtetuese për deputetët, përfshirë të drejtën për t’u njohur me projektligjin. Për të qenë i sinqertë deri në fund, më duhet të pohoj se, në këto komunikime, morëm mirëkuptim nga Kryetari i Kuvendit për shqetësimin e ngritur. Për fat të keq, në fund nuk vendosi as Kushtetuta, as arsyeja, as mirëkuptimi. Vendosi urdhri politik i Edi Ramës, duke e kthyer edhe një herë Kuvendin në noter të vendimeve të qeverisë.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe opozita në tërësi e ka bërë të qartë se e mbështet në parim këtë marrëveshje, sepse ajo i shërben interesit strategjik të Shqipërisë për të rritur investimet në mbrojtje, për të modernizuar Forcat e Armatosura dhe për të përmbushur detyrimet që burojnë nga anëtarësimi në NATO. Pikërisht sepse bëhet fjalë për marrëveshjen më të rëndësishme të viteve të fundit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, ajo duhej të ishte një model i respektimit të Kushtetutës, i transparencës dhe i debatit parlamentar, jo një tjetër shembull i përdorimit të shumicës parlamentare për ta shkelur atë.

Fatkeqësisht, ne ndodhemi në këtë situatë për shkak të dështimeve të vetë qeverisë. Për vite me radhë, qeveria e Shqipërisë, nën drejtimin e Edi Ramës, nuk përmbushi angazhimet e Shqipërisë ndaj Aleancës. Në vend të objektivit minimal prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, shpenzimet reale mbetën rreth 1.6%, duke e vendosur Shqipërinë në një pozitë të vështirë përballë aleatëve dhe duke krijuar deri edhe pikëpyetje serioze mbi përmbushjen e angazhimeve që lidhen me antarësimin në NATO të Shqipërisë.

Nuk na habit fakti që qeveria e Edi Ramës nuk i përmbushi për vite me radhë detyrimet e Shqipërisë ndaj NATO-s, sepse, për vite me radhë në opozitë, Edi Rama udhëhoqi protesta kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Prandaj, si forca politike që bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën Atlantike, Partia Demokratike nuk pranon leksione nga askush për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara apo për përkushtimin ndaj NATO-s. Pikërisht sepse këto marrëdhënie janë jetike për sigurinë kombëtare, ne nuk do të pranonim kurrë që marrëveshja më e rëndësishme e viteve të fundit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes të miratohej në shkelje të Kushtetutës. Ky ishte edhe thelbi i qëndrimit tonë gjatë seancës plenare. Sepse problemi nuk është marrëveshja, të cilën edhe sot pas miratimit antikushtetues nuk e njohim se cfarë përmban. Problemi është mënyra antikushtetuese se si shumica vendosi ta miratonte marrëveshjen. Për këtë arsye, kjo nuk është një mosmarrëveshje politike. Është një çështje kushtetuese. Është një cështje për të mbrojtur dinjitetin e Republikës së Shqipërisë, institucioneve të saj demokratike dhe thelb vetë imazhit të shtetit shqiptar në botë.

Thomas Jefferson thoshte se: “Mjafton një hap përtej kufijve që Kushtetuta i ka vendosur pushtetit, që ai të hyjë në një territor pa kufij.” Fatkeqësisht, edhe në këtë rast. ky hap u hodh nga mazhoranca dhe çështjen e bën akoma më shqetësuese fakti se kjo ndodhi vetëm pak muaj pasi vetë Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj për Rregulloren e Kuvendit, kishte vendosur standarde të qarta për përdorimin e procedurës së përshpejtuar dhe mbrojtjen e të drejtave të deputetëve. Në vend që ta zbatonte atë vendim të muajit shkurt, shumica zgjodhi të përsëriste të njëjtën praktikë që Gjykata sapo e kishte shpallur antikushtetuese. Duke injoruar jo vetëm deputetët, Kuvendit, por edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.

Për grupin parlamentar të PD respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e autoritetit të kësaj gjykate, por mbi të gjitha me vetë themelet mbi të cilën është ngritur Republika Parlamentare.

Procedura e ndjekur për miratimin e kësaj marrëveshjeje nuk përmban vetëm një shkelje të izoluar. Ajo cenon njëkohësisht disa prej parimeve themelore mbi të cilat funksionon parlamentarizmi kushtetues: të drejtën e deputetëve për t’u njohur dhe për të debatuar mbi aktet që votojnë, afatet kushtetuese të përdorimit të procedurës së përshpejtuar dhe sigurinë juridike që duhet të shoqërojë hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka identifikuar shtatë shkelje kushtetuese. Meqenëse kjo është një çështje me natyrë juridike, do të përpiqem t’i shpjegoj ato me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për çdo qytetar.

Shkelja e parë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për t’u njohur me marrëveshjen përpara votimit. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë Kryetarin e Kuvendit që, menjëherë pas depozitimit të projektligjit, t’u shpërndajë deputetëve projektligjin, tekstin e marrëveshjes dhe relacionin shoqërues. Kjo procedurë garanton që deputetët të kenë kohën e nevojshme për ta shqyrtuar marrëveshjen, për t’u konsultuar, për të paraqitur amendamente dhe për të vendosur me përgjegjësi se si do të votojnë.

Shkelja e dytë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për të kontrolluar mënyrën e përdorimit të fondeve publike. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë që projektligjet me efekte financiare të shoqërohen me raportin që përligj shpenzimet financiare. Ky raport u mundëson deputetëve të vlerësojnë ndikimin e projektligjit në Buxhetin e Shtetit dhe të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues të kontrollit mbi administrimin e financave publike. Në këtë rast, raporti që përligjte shpenzimet financiare nuk iu vu në dispozicion deputetëve.

Shkelja e tretë: Deputetëve iu mohua e drejta për të ushtruar lirisht funksionin e tyre parlamentar, përmes debatit parlamentar, paraqitjes së amendamenteve dhe votimit të informuar. Pikërisht për të garantuar ushtrimin efektiv të këtyre të drejtave, Rregullorja e Kuvendit parashikon që rendi i ditës të bëhet publik jo më vonë se dy ditë përpara seancës plenare. Në rastin e kësaj marrëveshjeje, kjo nuk ndodhi. Kryetari i Kuvendit njoftoi ndryshimin e rendit të ditës të hënën dhe, po atë ditë, maxhoranca shqyrtoi dhe miratoi marrëveshjen, duke zhvlerësuar afatin ligjor prej 48 orësh të njoftimit të rendit të ditës së seancës, i cili është përcaktuar si mekanizëm që garanton këto të drejta të deputetëve. Edhe Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar se mosrespektimi i afatit dyditor për rendin e ditës cenon parimin e demokracisë përfaqësuese.

Shkelja e katërt: Kjo lidhet me një afat tjetër shumë të rëndësishëm, i përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë dhe i interpretuar qartë nga Gjykata Kushtetuese, kur ajo rrëzoi mënyrën sesi Kuvendi miratoi Rregulloren e funksionimit të tij. Një rast identik me mënyrën sesi u miratua marrëveshja me SHBA të hënën. Edhe praktika e ndjekur për këtë marrëveshje, njësoj si praktika e shpallur antikushtetuese për Rregulloren e Kuvendit, u zhvillua me procedurë të përshpejtuar brenda 24 orëve. Në vendimin që duhet të ishte detyrues për Parlamentin, Gjykata Kushtetuese arsyetoi në muajin shkurt se mosrespektimi i afatit minimal njëjavor cenon sërish parimin e demokracisë përfaqësuese, duke u mohuar deputetëve të drejtat e tyre kushtetuese.

Shkelja e pestë: Marrëveshja u trajtua sikur Shqipëria të ndodhej në një situatë të jashtëzakonshme, me nevojë dhe urgjencë për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit. Në fakt, nuk ekzistonte asnjë nga këto kushte. Vetë qeveria e rrëzon pretendimin për urgjencë. Marrëveshja u miratua prej saj në parim më 19 qershor dhe u nënshkrua më 22 qershor. Këshilli i Ministrave kishte më shumë se një muaj kohë për ta paraqitur projektligjin sipas procedurës së zakonshme parlamentare, por zgjodhi ta mbante një muaj në sirtar dhe, për arsye që i di vetëm Edi Rama, ta sillte në Parlament vetëm në ditën e fundit të punimeve të tij. Në këto kushte, nuk mund të flitet për një urgjencë objektive, por për një urgjencë artificiale, të krijuar nga vetë qeveria. Po ashtu, Shqipëria nuk ndodhej në një situatë që të justifikonte nevojën urgjente për t’u pajisur me pajisje ushtarake, pasi nuk përballej me ndonjë agresion të armatosur apo kërcënim të jashtëm.

Shkelja e gjashtë: 1/5 e Deputetët kanë të drejtë që të venë në lëvizje Gjykatën Kushtetutese për të kontrolluar një marrëveshje përpara ratifikimit të saj. Duke e sjell dhe miratuar marrëveshjen brenda një dite, procedura parlamentare praktikisht e ka zhveshur pakicën parlamentare nga ushtrimi i përgjegjësisë së saj për të ushtruar kontrollin e kushtetutshmërisë së marrëveshjes në kohë, për të vënë në lëvizje Gjykatës Kushtetuese nëse cmonte vetëm përpara ratifikimit, si dhe praktikisht ka zhveshur vetë Gjykatën Kushtetuese nga kompetenca për të vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjes.

Shkelja e shtatë: Qeveria ka pamundësuar hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Huasë me SHBA-të. Duke e shpallur marrëveshjen sekrete, ajo ka pamundësuar botimin e saj në Fletoren Zyrtare. Por Kushtetuta përcakton qartë se një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj bëhet pjesë e sistemit të brendshëm juridik vetëm pasi botohet në Fletoren Zyrtare. Në këto kushte, mënyra se si është trajtuar kjo marrëveshje krijon një papajtueshmëri të drejtpërdrejtë me Kushtetutën, pasi një marrëveshje që nuk botohet nuk mund të hyjë në fuqi dhe as të bëhet pjesë e sistemit juridik të Republikës së Shqipërisë.

Nuk bëhet fjalë për një problem që nuk kishte zgjidhje. Legjislacioni shqiptar ofron mekanizma për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar pa cënuar kërkesat kushtetuese për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve ndërkombëtare. Qeveria zgjodhi të mos i përdorte ato. Ky nuk është thjesht një gabim procedural. Është një mënyrë qeverisjeje që e bën të atakueshme vetë marrëveshjen dhe e ekspozon Shqipërinë përballë partnerit të saj strategjik si një vend aleat joserioz, që nuk qeveriset sipas Kushtetutës, por shet sipas interesit politik të Kryeministrit.

Pikërisht mbi këto argumente, të mbështetura në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në vendimet e detyrueshme për zbatim të Gjykatës Kushtetuese dhe në jurisprudencën më të fundit të saj, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike sapo i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar kontrollin kushtetues të procedurës së ndjekur nga Kuvendi. Kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e ligjit ratifikues dhe pezullimin e tij.

Qëllimi ynë është të mbrojmë kushtetutshmërinë në vend dhe që marrëveshja më e rëndësishme ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare të miratohet sipas Kushtetutës, me një procedurë të rregullt parlamentare, në përputhje me standardet që vetë Gjykata Kushtetuese ka vendosur për Kuvendin. Nëse Gjykata Kushtetuese e shqyrton këtë çështje me përparësi, ne mund ta miratojmë së bashku marrëveshjen, pasi të njihemi me përmbajtjen e saj, edhe në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe duke siguruar mbështetjen e plotë politike që një marrëveshje e tillë strategjike meriton.

Aleanca me Shtetet e Bashkuara nuk forcohet duke mohuar dhe shkelur Kushtetutën. Ajo forcohet duke respektuar shtetin e së drejtës, institucionet demokratike dhe standardet që përbëjnë themelin e demokracive perëndimore. Shqipërisë i duhet standardi i Kongresit Amerikan, jo standardi i Taulant Ballës.

Marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara meritojnë shumë më tepër sesa të përfaqësohen përmes akteve antikushtetuese të Edi Ramës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: edi rama PD