Partia Demokratike ka kritikuar vendimin e qeverisë për krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara në Shëndetësi, duke e cilësuar atë si një strukturë që, sipas saj, centralizon menaxhimin e kontratave në këtë sektor. Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së, Bardh Spahia, tha se operatori i ri nuk përfaqëson një reformë të sistemit shëndetësor, por, sipas tij, kufizon konkurrencën dhe transparencën në administrimin e kontratave. Spahia deklaroi se që nga viti 2015 janë paguar 45.5 miliardë lekë, ose mbi 500 milionë euro, për katër kontrata në shëndetësi. Sipas tij, këto kontrata kanë rënduar buxhetin e shtetit, ndërsa qytetarët nuk kanë përfituar nga përmirësimi i shërbimeve. LEXO EDHE:Konkurrueshmëria e ekonomisë shqiptare, Tabaku: Shqipëria po humbet garën në rajon Deputeti demokrat shtoi se PD do të vijojë të kërkojë më shumë transparencë dhe llogaridhënie për kontratat dhe fondet publike në sektorin e shëndetësisë. Deklarata e plotë e Bardh Spahisë " Vetëm pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara në Shëndetësi, një strukturë e re e cila, pavarësisht emërtimit propagandistik, nuk përfaqëson as reformë dhe as një menaxhim më të mirë të shërbimeve shëndetësore. Në thelb, ky vendim nuk bën gjë tjetër veçse institucionalizon dhe centralizon edhe më tej menaxhimin e kontratave korruptive në shëndetësi, duke i shkëputur ato nga çdo mundësi konkurrimi, transparence dhe rivlerësimi periodik. Për më tepër ky model i ri nuk gjen asnjë të ngjashëm në vendet e Bashkimit Europian dhe mund ti sjellë pasoja vendit në proçesin e përafrimit me direktivat normëformuese të Unionit. Në vend që të kishim një konsultim të hapur publik me profesionistë të fushës dhe proçes të mirëfilltë llogaridhënie nga ana e qeverisë, për të adresuar dështimet e koncesioneve të dhjetë viteve të fundit, të kërkojë përgjegjësi dhe të korrigjojë gabimet, Qeveria e korruptuar e Edi Ramës zgjedh t’i mbrojë, t’i përqendrojë dhe t’u japë një fytyrë të re të njëjtëve mekanizma përfitimi klientelistë që i kanë kushtuar shqiptarëve qindra miliona euro. Ky operator nuk është krijuar për të mbrojtur interesin publik. Ai është krijuar për të garantuar vazhdimësinë e kontratave qartësisht korruptive, për të shmangur konkurrencën dhe për të ruajtur të paprekur marrëdhëniet klienteliste që kanë shoqëruar tenderat dhe koncesionet më të mëdha të shëndetësisë. Të nderuar qytetarë, Mungesa e konkurrencës është këmbana më e fortë e alarmit se abuzimi me paratë publike jo vetëm që nuk do të ndalet, por do të institucionalizohet edhe më tej. Kur kontratat përqendrohen në një strukturë të vetme, pa garë, pa konkurrim periodik dhe pa kontroll efektiv, humbësi i vetëm mbetet qytetari shqiptar që paguan faturën e korrupsionit për xhepat e Edi Rames. Historia e tenderave dhe koncesioneve në shëndetësi e ka provuar këtë më së miri. Që prej vitit 2015 qytetarët shqiptarë kanë paguar nga taksat e tyre plot 45.5 miliardë lekë ose më shumë se 500 milion euro vetëm për të ashtuquajtura 4 kontrata shëndetësore. Në vend që të përmirësojnë sistemin shëndetësor, këto koncesione kanë krijuar një barrë financiare të pajustifikuar për buxhetin e shtetit, ndërsa qytetarët nuk kanë përfituar asgjë, përkundrazi kanë humbur shumë në shëndet, para dhe madje dhe jetë Rasti i koncesioneve në shëndetësi përfaqëson një shembull shqetësues të mungesës së transparencës, shkeljeve ligjore dhe mosmbrojtjes së interesit publik. Shqiptarët meritojnë një sistem shëndetësor të bazuar në transparencë, konkurrencë dhe përgjegjshmëri, jo një sistem ku koncesionet mbrohen, abuzimet përsëriten dhe drejtësia vazhdon të mos japë përgjigje. Përballë kësaj kulture pandëshkueshmërie, ne do të vazhdojmë të denoncojmë çdo abuzim me fondet publike, çdo kontratë që pasuron një grusht të privilegjuarish në kurriz të qytetarëve dhe çdo përpjekje për të fshehur korrupsionin pas emërtimeve apo strukturave të reja administrative. Ky korrupsion masiv është thelbi revoltës së qytetarëve kundër një modeli qeverisjeje hajdutësh që ka vendosur interesin e një pakice mbi interesin e shumicës, që ka shndërruar buxhetin e shtetit në burim përfitimi për klientët e pushtetit dhe që vazhdon të kërkojë besim, ndërsa refuzon të japë llogari. Beteja jonë është betejë për të rikthyer shtetin në shërbim të qytetarëve, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të garantuar që askush, pavarësisht pushtetit apo lidhjeve politike, të mos jetë mbi ligjin. Ky është angazhimi ynë. Do të qëndrojmë gjithmonë në krah të interesit publik, në krah të qytetarëve dhe të çdo shqiptari që refuzon të pranojë si normalitet korrupsionin dhe abuzimin me paratë e tij" U.D/Shqiptarja.com TAG: edi rama koncesionet PD shendetesia Bardh Spahia Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
15 Gusht, 13:45
Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 56.8% Shoqëria 27.2% Social media 16.1% Vota total: 4497 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Gusht, 13:45 Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?

