Punimet private për sistemimin e një sheshi ndërtimi në zonën e Patosit të Vjetër kanë nxjerrë në pah një pus prodhimi të kompanisë “Alpetrol”, i cili prej vitesh ndodhej jashtë funksionit.Lexo edhe:Braktisja e fëmijëve, 14 raste të referuara në Elbasan gjatë 2024-2025: Pasojat më të rënda i vuajnë të miturit Sipas banorëve të zonës, pusi nuk ka pasur bllokues dhe, pas hapjes së tij gjatë punimeve, gazrat e akumuluara ndër vite në strukturën e pusit janë çliruar në atmosferë. Çlirimi i gazrave ka shkaktuar shqetësim te banorët e banesave që ndodhen pranë sheshit të ndërtimit dhe pusit. Ata shprehen të alarmuar për ndotjen e ajrit dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për izolimin e pusit. Banorët bëjnë me dije se kanë kontaktuar me Bashkinë Patos dhe me kompaninë “Alpetrol”, e cila, sipas tyre, ka dërguar një ekip gjatë mesditës së së hënës për të verifikuar situatën në terren. Ata kërkojnë që gryka e pusit të bllokohet sa më shpejt, në mënyrë që të shmanget çdo rrezik i mëtejshëm dhe punimet në shesh të mund të vijojnë normalisht. E kontaktuar për këtë situatë, drejtoria e “Alpetrol” e ka pohuar se një ekip ka shkuar ditën e djeshme në vendngjarje dhe ka kryer verifikimet. “Alpetrol” ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme, e martë, një tjetër ekip do të ndërhyjë për vulosjen dhe izolimin e pusit, i cili prej kohësh ka qenë jashtë funksionit. Ndërkohë, banorët presin që ndërhyrja të kryhet sa më shpejt, duke kërkuar garanci për eliminimin e gazrave dhe mbrojtjen e cilësisë së ajrit në zonën e banuar.
