Hetimet për incidentin e rëndë të një Boeing 737-800 të operuar për Ryanair më 10 korrik mbi Greqi kanë zbuluar detaje të reja mbi defektin e motorit që përfi me thyerjen e një dritareje dhe tërheqjen pjesërisht jashtë avionit të një pasagjeri.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit të NTSB-së, gjatë ngjitjes së avionit nga Selaniku drejt Memmingenit, në Gjermani, sensorët regjistruan rritje të fortë të dridhjeve në motorin e djathtë CFM56. Avioni ndodhej në rreth 4.900 metra lartësi, kur situata u përkeqësua.
Hetuesit kanë konstatuar se një prej fletëve të ventilatorit të motorit u këput. Fragmentet dëmtuan mbulesën e motorit dhe trupin e avionit, ndërsa një dritare u thye, duke shkaktuar humbje të menjëhershme të presionit në kabinë. Një pasagjer 61-vjeçar u tërhoq pjesërisht jashtë, por u mbajt dhe u tërhoq përsëri brenda nga personat pranë tij.
Një element i rëndësishëm i hetimit është zbulimi i mbetjeve dhe puplave të zogjve brenda motorit.
Hetuesit kanë konstatuar gjithashtu se gjatë vitit të fundit për të njëjtin motor ishin regjistruar katër raste të dyshuara goditjesh nga zogjtë.
Megjithatë, NTSB nuk ka përcaktuar ende shkakun përfundimtar të këputjes së fletës. Po analizohen pjesët e motorit dhe historiku i mirëmbajtjes për të përcaktuar nëse dëmtimet e mëparshme, goditjet nga zogjtë apo faktorë të tjerë kanë luajtur rol.
Motori kishte kaluar një inspektim vetëm dy muaj përpara incidentit, në maj, pa u evidentuar probleme.
Avioni, me 155 persona në bord, u kthye dhe u ul në mënyrë të sigurt në Selanik, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes.

