Lajme Zone
Pas vitesh përplasjeje, Shkupi kërkon takim me Sofjen! Mickoski ndjek këshillën e von der Leyen, në lojë zhbllokimi i rrugës drejt BE-së!
PolitikëReport TV

Pas vitesh përplasjeje, Shkupi kërkon takim me Sofjen! Mickoski ndjek këshillën e von der Leyen, në lojë zhbllokimi i rrugës drejt BE-së!

Ngërçi mes Shkupit dhe Sofjes mbetet një nga pengesat kryesore për avancimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Në qendër janë ndryshimet kushtetuese dhe kërkesa për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, ndërsa Brukseli po përpiqet të afrojë palët për të gjetur një rrugëdalje.

Maqedonia e Veriut ka kërkuar zyrtarisht takim me Bullgarinë, pas nismës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për rikthimin e dialogut mes dy vendeve dhe gjetjen e një rrugëdaljeje nga ngërçi që po mban të bllokuar avancimin e Shkupit drejt Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm Timço Mucunski i ka dërguar Sofjes një notë diplomatike me kërkesën për takim. Nga Bullgaria kanë ardhur sinjale se bisedimet mund të zhvillohen, por edhe një mesazh i qartë se Sofja nuk pranon rinegocimin e kushteve të vendosura në procesin evropian. Presidentja Ilijana Jotova tha se është "moderatisht optimiste", ndërsa paralajmëroi se dialogu duhet të zhvillohet "pa ultimatume dhe pa lëshime nga politika evropiane". LEXO edhe...BE i jep dritën jeshile ngritjes së qendrave të dëbimit në vende të treta Kryeministri Hristijan Mickoski e cilësoi propozimin e von der Leyen për bisedime të drejtpërdrejta si konstruktiv, megjithëse tha se nuk ishte i kënaqur me mesazhin e saj për ndryshimet kushtetuese. Ai paralajmëroi se një refuzim i takimit nga Bullgaria do të përforconte pretendimet e qeverisë së tij ndaj Sofjes. "Nëse Bullgaria e refuzon takimin, edhe një herë do të konfirmohen tezat tona", tha Mickoski. Sipas tij, nuk do të ishte e mençur që pala bullgare ta refuzonte ofertën, ndonëse vendimi mbetet e drejtë e Sofjes. Jotova, nga ana tjetër, i kërkoi Mickoskit të heqë dorë nga pretendimi se problemi me Bullgarinë është vetëm një çështje bilaterale. "Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të harrojë se kjo është çështje bilaterale, siç ai përpiqet ta paraqesë. Ne gjithmonë kemi qenë të hapur për bisedime me ta, por bisedime pa ultimatume dhe pa lëshime nga politika evropiane", deklaroi ajo. Sipas Jotovës, kushtet që duhet të plotësojë Shkupi tashmë janë pjesë e procesit të zgjerimit të BE-së dhe nuk mund të paraqiten më vetëm si kërkesa të Bullgarisë. Presidentja bullgare tha se do t'i kërkojë ministres së Jashtme t'i paraqesë notën diplomatike të Mucunskit. Ajo shprehu gjithashtu shpresën se von der Leyen kishte qenë "jashtëzakonisht e prerë" gjatë bisedës kokë më kokë me Mickoskin. "Që kjo bisedë të jetë serioze, zoti Mickoski duhet ta lexojë shumë mirë politikën evropiane në lidhje me zgjerimin", tha Jotova. Në debat ndërhyri edhe lideri i GERB-it dhe ish-kryeministri bullgar Boyko Borisov, i cili deklaroi se dy vendet nuk janë armiq dhe kërkoi respektimin e marrëveshjeve ekzistuese. "Ekziston Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë dhe Miqësi me Republikën e Maqedonisë së Veriut, e nënshkruar nga unë dhe kryeministri i tyre. As ne, as Komisioni Evropian nuk kërkojmë asgjë tjetër përveç respektimit të kësaj marrëveshjeje. Ne nuk jemi armiq, përkundrazi", tha Borisov. Ai iu referua edhe të ashtuquajturit "propozim francez", kompromisit të vitit 2022 mbi të cilin mbështetet kuadri aktual për avancimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Borisov solli si shembull edhe marrëdhëniet e Bullgarisë me Greqinë gjatë procesit të anëtarësimit të vendit të tij në Union dhe bëri thirrje për zgjidhjen e problemeve përmes diplomacisë. "Nuk jemi armiq, përkundrazi. Nëse fqinjësinë e kuptojnë ashtu siç e kuptojmë ne, nuk do të kenë asnjë problem", shtoi ai. Në qendër të ngërçit mbeten ndryshimet kushtetuese që duhet të miratojë Maqedonia e Veriut për të përfshirë bullgarët mes komuniteteve të njohura në Kushtetutë. Ky është një angazhim i përfshirë në kompromisin e vitit 2022 dhe pa përmbushjen e tij Shkupi nuk mund të kalojë në fazën tjetër të negociatave të anëtarësimit. Qeveria e Mickoskit kërkon garanci se pas ndryshimeve kushtetuese Bullgaria nuk do të vendosë kushte të tjera, veçanërisht për çështje që lidhen me historinë dhe identitetin. Sofia këmbëngul se kërkesat aktuale janë tashmë pjesë e kuadrit evropian dhe nuk mund të rinegociohen. Von der Leyen deklaroi gjatë vizitës së saj në Shkup se është dakordësuar "hapi i parë" për zhbllokimin e procesit. Ajo i kërkoi qeverisë maqedonase të nisë bisedimet me Sofjen dhe tha se, pas zhbllokimit të negociatave dhe miratimit të udhërrëfyesit, Bashkimi Evropian do të mirëpresë identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase. Tashmë pritet përgjigjja e Sofjes ndaj kërkesës për takim, e cila do të tregojë nëse ndërhyrja e von der Leyen mund ta kthejë përplasjen e gjatë mes dy vendeve në një proces konkret negociatash. U.D/ReportTv.al Boyko Borisov Ilijana Jotova Hristijan Mickoski BE Maqedonia e Veriut bullgari Komento Komente Sondazhi i ditës: Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private? Po 71.1% Jo 21.3% Nuk e di 7.6% Vota total: 1237 Sondazhi i ditës: Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private?