Foto nga REUTERS/Mario Anzuoni Aktorja e njohur amerikane Glenn Close ka marrë më në fund një statujë Oscar, pas një karriere mbi pesëdekadëshe dhe tetë nominimeve në të cilat nuk arriti të fitonte çmimin konkurrues të Akademisë.
79-vjeçarja u nderua me Oscarin e karrierës në ceremoninë e 17-të të Governors Awards, të mbajtur të dielën në Los Angeles. Statujën ia dorëzoi aktori John Malkovich, me të cilin ka luajtur në filmin e njohur “Dangerous Liaisons”.
Sipas Associated Press, Close u ndal për një çast përpara se të merrte çmimin dhe e vështroi statujën me emocion. Në fjalën e saj falënderoi artistët dhe kolegët që e kanë frymëzuar gjatë gjithë karrierës, duke thënë se nderimi më i madh ishte të ndodhej mes tyre.
“Kam marrë nominimin tim të parë për Oscar 43 vite më parë”, kishte thënë aktorja për Associated Press përpara ceremonisë, duke përshkruar emocionet e këtij momenti.
Close është nominuar tetë herë për çmimin Oscar, për role në filma si “The World According to Garp”, “The Big Chill”, “Fatal Attraction”, “Dangerous Liaisons” dhe “The Wife”, por nuk ka fituar asnjëherë në garën konkurruese. Me këtë rekord, ajo është në të njëjtin nivel me aktorin Peter O’Toole për numrin më të madh të nominimeve në aktrim pa një fitore.
Çmimi i marrë këtë herë është Oscar nderi, që vlerëson kontributin e saj të jashtëzakonshëm në kinematografi dhe nuk është një fitore në një kategori konkurruese.
Në të njëjtën ceremoni u nderuan edhe regjisori Ridley Scott dhe animatori i Disney-t Floyd Norman. Ndërsa producentet Christine Vachon dhe Pamela Koffler morën çmimin Irving G. Thalberg për kontributin e tyre në prodhimin e filmave.

