Ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, rezulton i përfshirë në një tjetër skemë të dyshuar tjetërsimi pronash, këtë herë në zonën e Levanit. Prokuroria njoftoi një procedim të ri penal, ku dyshohet se janë tjetërsuar rreth 71.7 hektarë tokë, pavarësisht se për to ishte përfituar më parë kompensim financiar nga shteti. Për këtë procedim, Prokuroria ka lëshuar masën arrest me burg për ish-drejtorin Shehu, përfituesin Ervin Habilaj dhe detyrim paraqitjeje për ish-hartografin Emiljano Ruko. Si funksiononte skema? LEXO edhe...Përfshihet nga flakët Benzi në Fier, tymi mbulon parkimin nëntokësor (VIDEO) Sipas Prokurorisë së Fierit, skema e dyshuar lidhet me një vendim të vitit 2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që njihte të drejtën e kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në Levan dhe Dërmënas. Në vitin 2018, Ervin Habilaj, një prej trashëgimtarëve përfitues, mori kompensim financiar prej 53.8 milionë lekësh nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Por, pavarësisht se kishte marrë paratë, në vitin 2023 ai dyshohet se ndoqi procedurat për të regjistruar edhe 6 pasuri me sipërfaqe totale 71.7 hektarë. Në këtë proces dyshohet se kanë pasur rol ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, dhe ish-hartografi Emiljano Ruko, përmes veprimeve të tyre në trajtimin e dokumentacionit për regjistrimin e pronave. Pas regjistrimit, disa prej pasurive dyshohet se janë shitur. Gjatë hetimeve, Prokuroria ka sekuestruar 715,976 euro në llogarinë bankare të Ervin Habilës, si dhe dokumente e pajisje elektronike. Tjetërsimi në Seman Ndërkohë, Shehu del sot para Gjykatës së Fierit për vlerësimin e masës së sigurisë në lidhje me skemën tjetër të dyshuar të tjetërsimit të pronave në Seman. Për këtë episod, Prokuroria dyshon se biznesmeni Kastriot Hasko përdori dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të regjistruar tokat në bashkëpronësi me katër persona të tjerë dhe më pas për t'ua shitur dy shoqërive. Krahas Shehut dhe Haskos, janë arrestuar edhe ish-drejtori i Kadastrës Bardhyl Kapaj dhe juristi Piro Çela. Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar 76 pasuri me sipërfaqe totale 1,143 hektarë, si dhe 150 mijë euro. Njoftimi i plotë i Prokurorisë Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u arrestuan shtetasit, E.S., ish-Drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe përfituesi i pronave, të dyshuara të marra me dokumente të falsifikuara E.H., si dhe u dha masë sigurimi ‘Detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore’ për shtetasin E.R., ish-hartograf pranë ASHK-së Fier. Hetimet mbi procedimin penal nr. 1715, datë 05.11.2025, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar respektivisht nga nenet 186, 143, 287 dhe 248 të Kodit Penal, nisën pas dyshimeve për përfitim dhe regjistrim të kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit, si dhe tjetërsimin e tyre dhe qarkullimin e vlerave monetare të përfituara. Fakti penal i dyshuar lidhet me vendimin e vitit 2008 i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që parashikonte njohjen e të drejtës së kompensimit për 100 ha tokë bujqësore në zonën e Levanit dhe Dërmënasit. Një prej trashëgimtarëve përfitues, shtetasi E.H., ka përfituar më pas, me Vendimin nr. 1944, datë 26.11.2018, të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, kompensim financiar në vlerën 53.800.000 lekë. Pavarësisht kompensimit financiar, nga hetimi dyshohet se gjatë vitit 2023, shtetasi E.H. ka ndjekur procedura për regjistrimin e 6 pasurive në ZK nr. 2436, me sipërfaqe totale rreth 71.7 ha, duke iu referuar Vendimit nr. 246, datë 21.02.2008. Hetimi deri ne këtë fazë ka evidentuar veprimet e E.S., ish-Drejtor i ASHK Fier, dhe E.R., ish-hartograf pranë ASHK Fier, lidhur me trajtimin administrativ dhe kadastral të dokumentacionit të përdorur për regjistrimin e pasurive. Pas regjistrimit, disa prej pasurive dyshohet se janë tjetërsuar nëpërmjet shitjes, duke gjeneruar të ardhura në vlera të konsiderueshme. Hetimi vijon për verifikimin e këtyre transaksioneve, gjurmimin e vlerave monetare dhe përcaktimin e destinacionit të tyre. Gjatë hetimit u sekuestruan edhe 715.976 euro, të depozituar në llogarinë bankare të E.H. Si dhe janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme. Hetimi vijon për dokumentimin e plotë të rrethanave të çështjes, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë dhe individualizimin e përgjegjësisë penale. SI.E./ReportTv.al Piro Cela Bardhyl Kapaj Ervin Habilaj Emiljano Ruko ertis shehu tjetersim pronash Fier Kastriot Hasko Komento Komente Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 6.1% Të gabuar 89.1% Nuk e di 4.8% Vota total: 4103 Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?

